





























Hadeeth Cards
Da'wa cards that highlight great meanings from the noble prophetic hadiths in a simple style and attractive display that helps the Muslim to have a deeper understanding of his religion in an easy way
All
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Profeti ﷺ ka thënë: “Kush refuzon t'i bindet prijësit dhe largohet nga muslimanët e unifikuar (në të vërtetën) e pastaj vdes në këtë gjendje, vdekja e tij i ngjan vdekjes së periudhës (së injorancës) paraislame. Kush lufton nën një flamur të lajthitur, hidhërohet për shkak të fanatizmit fisnor dhe thërret në këtë fanatizëm, ose e përkrah fanatizmin, pastaj vritet në këtë gjendje, vrasja e tij i ngjan vrasjes së periudhës (së injorancës) paraislame. Kush ngrihet kundër umetit tim (të unifikuar që i janë besatuar prijësit), duke sulmuar e vrarë si të keqin ashtu dhe të mirin, duke mos e kursyer fare besimtarin dhe duke mos e mbajtur besatimin me atë (prijës) që i janë besatuar, të tillët nuk janë në mësimet dhe udhëzimin tim, si dhe mësimet e udhëzimi im s'janë me ta.”
Transmeton MuslimiProfeti ﷺ në këtë hadith sqaron se, kush refuzon t'i bindet prijësit dhe largohet nga muslimanët e unifikuar (në të vërtetën) për t'ia dhënë besën prijësit dhe vdes në këtë gjendje, duke refuzuar dhe duke qenë larg bindjes, vdes sikur ata të periudhës së injorancës (para se të vinte Profeti), të cilët nuk i bindeshin asnjë prijësi dhe nuk i bashkoheshin asnjë grupi të vetëm, por, përkundrazi, ishin sekte dhe banda që luftonin njëra-tjetrën. Po ashtu Profeti ﷺ tregoi se, kushdo që lufton nën një flamur, në të cilin nuk mund të dallohet e vërteta nga e pavërteta, si dhe zemërohet nga fanatizmi për popullin ose fisin e tij, e jo për ta mbështetur fenë dhe të vërtetën, rrjedhimisht lufton nga fanatizmi e pa mprehtësi dhe dituri, nëse vritet në këtë gjendje, atëherë do të jetë vrasje si në periudhën e injorancës. Kushdo që rebelohet kundër umetit (islam) të Profetit ﷺ, e kështu i lufton të devotshmit dhe të prishurit nga umeti i tij; nuk e çan kokën se çfarë bën e nuk i frikësohet dënimit për vrasjen e besimtarëve; nuk i përmbahet besëlidhjes me jobesimtarët ose prijësit, por, përkundrazi, e thyen besëlidhjen e tyre, atëherë ky veprim është një nga mëkatet e mëdha, rrjedhimisht kushdo që e bën këtë, e meriton këtë kërcënim të rëndë.
Arfexhe (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: "E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ të thotë: “Nëse dikush vjen, pasi të jeni bashkuar rreth një prijësi dhe dëshiron që të thyejë boshtin tuaj ose të shpartallojë unitetin tuaj, vriteni.”
Transmeton MuslimiProfeti ﷺ në këtë hadith sqaron se, nëse muslimanët janë pajtuar të caktojnë një kalif të caktuar dhe janë një bashkësi e dikush dëshiron të shkarkojë kalifin për të cilin janë pajtuar ose dëshiron t'i përçajë muslimanët në më shumë se një xhemat, është detyrë e tyrja ta ndalojnë e ta luftojnë, për të shmangur kështu të keqen e tij dhe për të parandaluar derdhjen e gjakut të muslimanëve.
Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të) transmeton se Profeti ﷺ ka thënë: "Xhihadi më i madh është fjala e drejtë para sunduesit të padrejtë."
Transmetojnë Ebu Davudi, Tirmidhiu, ibn Maxhe dhe AhmediProfeti ﷺ në këtë hadith sqaroi se një nga llojet më të mëdha dhe më të dobishme të xhihadit në rrugë të Allahut të Lartësuar është fjala e drejtë dhe e hakut përpara një sunduesi ose prijësi të padrejtë. Këtë shpërblim e ka sepse i tilli e jetësoi institucionin e urdhërimit të së mirës dhe ndalimit të së keqes, qoftë me fjalë, shkrim e veprim, qoftë me ndonjë gjë tjetër, për të arritur kështu dobi dhe për ta parandaluar të keqen.
Ibën Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Profeti ﷺ ka thënë: “Do të përballeni me anashkalim të të drejtave tuaja (nga prijësit) dhe do të shihni gjëra që nuk do t'ju pëlqejnë.” Të pranishmit pyetën: "O i Dërguari i Allahut, çfarë po na porosit, pra?" Ai tha: “T'i kryeni detyrat që ju përkasin dhe t'i kërkoni Allahut atë që ju takon.”
Muttefek alejhiProfeti ﷺ në këtë hadith na tregoi se mbi muslimanët do të ketë prijës, të cilët do t'i monopolizojnë pasuritë e muslimanëve dhe punët e tjera të kësaj bote, duke i shpenzuar kështu ato sipas dëshirës dhe duke ua mohuar muslimanëve të drejtën e tyre në raport me to. Ata do të bëjnë gjëra në fe, të cilat nuk janë të mira dhe nuk pëlqehen. Sahabët (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) pyetën se çfarë duhej të bënin në këtë situatë. Kësisoj, Profeti ﷺ u tha atyre se fakti që ata e monopolizojnë pasurinë, nuk ju përligj që ju ta ndaloni atë që e keni të obliguar ta bëni karshi tyre: për t'i dëgjuar dhe për t'iu bindur. Përkundrazi, jini të durueshëm, dëgjojini, bindjuni dhe mos i kundërshtoni në çështjen (që ju është besuar). Hakun që ju takon juve, kërkojani Allahut, si dhe luteni Allahun që t'i përmirësojë dhe ta largojë të keqen e padrejtësinë e tyre!
Numan ibën Beshiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Profeti ﷺ ka thënë: “Ai që i respekton kufijtë e Allahut dhe ai që i shkel ata i shëmbëllejnë një populli që kanë vënë short për një anije. Njëri grup (sipas shortit) qëndroi sipër (në kuvertë), kurse tjetri poshtë (në hambar). Këta, që ishin poshtë, atyre që ishin sipër, u kërkonin ujë për të pirë dhe thanë: "Sikur të shponim një vrimë në pjesën tonë, më s'do t'i bezdisnim këta sipër nesh." Nëse ata sipër do t'i lejonin të vepronin atë që dëshironin këta, atëherë do të shkatërroheshin të gjithë, por, nëse do t'i ndalonin, do të shpëtonin të gjithë.”
Transmeton BuhariuProfeti ﷺ në këtë hadith solli shembull për ata që i respektojnë kufijtë e Allahut, që i përmbahen urdhrit të Tij, që urdhërojnë të mirën, që ndalojnë të keqen, dhe shembull për ata që i shkelin kufijtë e Allahut, që braktisin të mirën, e që e veprojnë të keqen, si dhe ndikimin e kësaj në shpëtimin e shoqërisë, me shembullin e një populli që hipën në një anije dhe hodhën short se kush do të qëndrojë sipër anijes dhe kush do të qëndrojë poshtë saj. Disave u ra pjesa e sipërme e disave pjesa e poshtme, kështu që ata që ishin poshtë, nëse donin të merrnin ujë, kalonin pranë atyre që ishin sipër. Ata që ishin poshtë, thanë: "Sikur ta kishim bërë një vrimë në vendin tonë poshtë, për të nxjerrë prej saj (ujë), në mënyrë që të mos i bezdisim ata sipër nesh." Nëse ata që ishin sipër do t'i lejonin ta bënin këtë, anija do të ishte fundosur me të gjithë ata, e sikur t'i kishin ndaluar dhe penguar, të dyja grupet do të kishin shpëtuar.
Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ka thënë: “O njerëz, ju e lexoni këtë ajet: "O besimtarë! Ju keni përgjegjësi vetëm për veten tuaj! Ai që është i humbur, nuk mund t’ju dëmtojë, nëse jeni në rrugë të drejtë." (El Maide, 105) Por unë kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ të thotë: “Kur njerëzit e shohin zullumqarin dhe nuk e pengojnë (nga zullumi), ka të ngjarë që Allahu t'i ndëshkojë të gjithë."
Transmetojnë Ebu Davudi, Tirmidhiu, Nesaiu në “Es-Sunen el-kubra”, Ibn Maxhe dhe AhmediEbu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se njerëzit e lexojnë këtë ajet: "O besimtarë! Ju keni përgjegjësi vetëm për veten tuaj! Ai që është i humbur, nuk mund t’ju dëmtojë, nëse jeni në rrugë të drejtë." (El Maide, 105) Ata kuptuan prej ajetit se njeriu duhet të përpiqet vetëm për të përmirësuar veten e vet dhe se ai nuk do të dëmtohet më pas nga devijimi i atyre që kanë humbur rrugën e drejtë, dhe se prej tyre nuk kërkohet që të urdhërojnë për mirë dhe të ndalojnë nga e keqja! Andaj, ai u tregoi se nuk është kështu dhe se ai e kishte dëgjuar Profetin ﷺ të thotë: nëse njerëzit e shohin zullumqarin dhe nuk e pengojnë atë nga zullumi i tij, ndrëkohë që kanë mundësi për ta penguar atë, ka të ngjarë që Allahut t'i përfshijë me dënim të gjithë: vepruesin e së keqes dhe atë që hesht ndaj saj.
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Për çdo ditë që lind Dielli, njeriu duhet të japë sadaka (lëmoshë) për secilën nyjë të trupit. Të gjykosh me drejtësi mes dy personave është sadaka. Të ndihmosh dikë të hipë në kafshë ose t'i ngjisë plaçkat dhe sendet është sadaka. Fjala e mirë është sadaka. Çdo hap që njeriu e hedh për të shkuar në namaz është sadaka. Largimi i një pengese nga rruga është sadaka.”
Muttefek alejhiProfeti ﷺ në këtë hadith ka sqaruar se çdo musliman i rritur dhe i përgjegjshëm duhet të japë sadaka për hir të Allahut të Lartësuar çdo ditë, për aq nyje sa gjenden në kockat e tij, si akt falënderimi ndaj Allahut për mirëqenien që gëzon. Allahu i bëri kockat e njeriut me nyja që ai të jetë në gjendje t'i hapë dhe t'i mbyllë. Dhe kjo sadaka arrihet nëpërmjet të gjitha veprave të mira dhe nuk kufizohet vetëm me dhënien e pasurisë. Disa nga këto vepra të mira janë: Nëse gjykon me drejtësi midis dy personave që janë në konflikt me njëri tjetrin është sadaka. Nëse e ndihmon të paaftin të hipë mbi kafshë (mjet transportues) ose t'ia ngjisësh plaçkat dhe sendet lart, është sadaka. Fjala e mirë, qoftë dhikër (përmendje e Allahut), qoftë lutje, përshëndetje etj, është sadaka. Çdo hap që e bën për të shkuar në namaz është sadaka. Largimi i një pengese nga rruga, prej së cilës dëmtohen të tjerët, është sadaka.
Vail Hadramiu tregon: "Seleme ibn Jezid Xhufiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) e pyeti të Dërguarin e Allahut ﷺ: "O Profet i Allahut, sikur të na vijnë udhëheqës që na kërkojnë përmbushjen e obligimeve ndaj tyre, por ata nuk i përmbushin obligimet e tyre ndaj nesh, çfarë na urdhëron të bëjmë?" Profeti ﷺ nuk iu përgjigj, e ai pyeti përsëri. Prapë nuk iu përgjigj, e ai pyeti përsëri për të dytën herë, ose për të tretën. Ndërkohë, Eshath ibn Kajsi e tërhoqi atë nga vetja, e në atë rast Profeti ﷺ iu përgjigj: “Dëgjojini dhe bindjuni atyre, sepse ata e bartin përgjegjësinë për atë që janë të obliguar, sikundërqë ju e bartni përgjegjësinë për atë që jeni të obliguar.”
Transmeton MuslimiProfeti ﷺ në këtë hadith u pyet për udhëheqësit që kërkojnë të drejtën e tyre nga njerëzit, që t'i dëgjojnë dhe t'iu binden, ndërkohë që ata vetë nuk e kryejnë të drejtën që kanë ndaj popullit, siç është ofrimi i drejtësisë, shpërndarja e plaçkave të luftës, kthimi i padrejtësive dhe trajtimi i barabartë. Çfarë na urdhëron të bëjmë në raport me ta? Profeti ﷺ iu shmang pyetjes së tij, sikur nuk i pëlqeu këto lloj çështjesh. Por pyetësi e përsëriti pyetjen e tij për herë të dytë dhe të tretë, derisa Eshath ibn Kajs (Allahu qoftë i kënaqur me të!) e tërhoqi pyetësin për ta ndalur. Atëherë Profeti ﷺ u përgjigj dhe tha: "Dëgjoni fjalët e tyre dhe bindjuni urdhrave të tyre, sepse ata mbajnë përgjegjësinë që u është ngarkuar: për të qenë të drejtë dhe për t’u dhënë të drejtat popullit, sikundërqë ju mbani përgjegjësinë që u është ngarkuar për bindje, kryerjen e të drejtave dhe durimin ndaj sprovave.
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Profeti ﷺ ka thënë: “Feja është e lehtë, kështu që këdo që mbingarkon vetveten në fenë e tij, feja do ta mundë. Andaj, jini mesatarë, afrojuni përsosurisë dhe përgëzohuni (për shpërblimin që ju pret). Kur merrni udhë, shfrytëzojeni mëngjesin e hershëm, pasditen dhe një pjesë të natës.”
Transmeton BuhariuProfeti ﷺ në këtë hadith sqaroi se feja islame bazohet në lehtësimin në të gjitha çështjet e saj. Ky lehtësim del në pah kur besimtari ka arsye, bie fjala, paaftësia e nevoja. Thellimi në punët fetare (duke e tepruar) dhe braktisja e butësisë (dhe lehtësimit në raport me to) është pasojë për t'u bërë i paaftë për t'i kryer veprat dhe për t'i ndërprerë ato, ose në tërësi, ose pjesërisht. Pastaj Profeti ﷺ inkurajoi që të jemi mesatarë dhe të mos e teprojmë. Robi nuk duhet të tregohet i mangët në raport me gjëra që urdhërohet e as duhet të bartë gjëra që nuk mund t'i përballojë: nëse nuk është në gjendje ta bëjë punën të plotë, atëherë e bën punën në atë formë sa më afër së plotës. Gjithashtu Profeti ﷺ dha sihariq për shpërblimin e madh për atë punë që bëhet në vazhdimësi, qoftë dhe të vogël, për ata që nuk janë në gjendje ta punojnë plotësisht, se, nëse paaftësia nuk është nga vetë ata, atëherë, si pasojë e kësaj, nuk u pakësohet shpërblimi. Dhe, duke qenë se jeta e kësaj bote në të vërtetë është një udhëtim dhe një kalim në botën tjetër, Profeti ﷺ urdhëroi që ta ndihmojmë veten në përkushtimin ndaj adhurimit duke e realizuar atë në tri kohë të favorshme që e aktivizojnë shpirtin: 1. Mëngjesi i hershëm, që të dilet në fillim të ditës, ndërmjet namazit të sabahut dhe lindjes së diellit. 2. Pasditja, që të dilet pas zenitit. 3. Një pjesë e natës, pra, të dilet tërë natën ose në një pjesë të saj, për shkak se puna e natës është më e vështirë se ajo e ditës. Ai urdhëroi në një pjesë të saj, duke thënë: "... një pjesë të natës."