





























Hadeeth Cards
Da'wa cards that highlight great meanings from the noble prophetic hadiths in a simple style and attractive display that helps the Muslim to have a deeper understanding of his religion in an easy way
All
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kiameti nuk do të ndodhë pa lindur Dielli nga perëndimi. Kur të lindë dhe njerëzit ta kenë parë, të gjithë do të besojnë. Por, kjo është koha kur: “... nuk do t'i bëjë dobi askujt besimi i tij, nëse nuk ka besuar më parë, ose nuk ka bërë ndonjë të mirë në besimin e tij.” (El Enam, 158) Kiameti do të ndodhë aq papritmas, saqë dy persona që i kanë shtrirë rrobat e tyre pranë njëri-tjetrit, nuk do të arrijnë as t'i shesin, as t'i palosin. Kiameti do të ndodhë aq papritmas, saqë personi që sapo e ka mjelë qumështin e devesë, nuk do të arrijë dot ta pijë. Kiameti do të ndodhë aq papritmas, saqë personi që sapo e ka mbaruar ndërtimin e pusit të tij, nuk do të arrijë të nxjerrë ujë prej tij. Kiameti do të ndodhë aq papritmas, saqë personi që e ka ngritur kafshatën pranë gojës, nuk do të arrijë dot ta hajë.”
Muttefek alejhi.I Dërguari i Allahut ﷺ në këtë hadith na tregon se një nga shenjat e mëdha të Kiametit është se Dielli do të lindë nga perëndimi, në vend të lindjes (siç ndodh zakonisht), e me ta parë njerëzit, do të besojnë të gjithë, pa përjashtim. Në atë rast, jobesimtarit nuk do t'i bëjë dobi besimi e as veprat e tij të mira dhe pendimi nuk do të bëjë dobi. Pastaj Profeti ﷺ tregoi se Kiameti do të vijë befas, madje do të ndodhë kur njerëzit do të jenë në gjendjet dhe punët e jetës së tyre (të përditshme). Kështu, Kiameti do të ndodhë e shitësi dhe blerësi do t'i kenë ta shtrira rrobat e tyre dhe nuk do të mund t'i shesin e as t'i palosin. Kiameti do të ndodhë, saqë njeriu do ta marrë qumështin e devesë së tij që milet, e nuk do ta pijë dot. Kiameti do të ndodhë, saqë njeriu do ta rregullojë pusin e tij dhe do ta suvatojë, e nuk do të pijë dot prej tij. Kiameti do të ndodhë, saqë njeriu do ta ngrejë kafshatën e tij në gojë për të ngrënë, por nuk do ta hajë dot.
Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Vdekja do të sillet në formë të një dashi laraman dhe dikush do të thërrasë: "O banorë të Xhenetit!" Ata do t'i zgjasin kokat për të shikuar. Thirrësi pyet: "E njihni këtë?" Ata thonë: "Po, kjo është vdekja." Profeti ﷺ thotë: "Dhe, të gjithë tanimë e kanë parë." Pastaj thërret: "O banorë të Zjarrit!" Ata i zgjasin kokat për të shikuar. Ai pyet: "E njihni këtë?" Ata thonë: "Po, kjo është vdekja." Profeti ﷺ thotë: "Dhe, të gjithë tanimë e kanë parë." Në atë rast ajo theret dhe thirrësi thotë: "O banorë të Xhenetit, jetoni përjetësisht, se nuk ka më vdekje, dhe, o banorë të Zjarrit, jetoni përjetësisht, se nuk ka më vdekje!” Pastaj, i Dërguari i Allahut ﷺ lexoi ajetin: “Paralajmëroji ata (o Muhamed) për Ditën e Pikëllimit, kur do të japin llogari, ndonëse tani ata janë të shkujdesur dhe nuk besojnë.” (Merjem, 39) Këta, që përshkruhen se janë të shkujdesur, janë njerëzit që jepen pas dynjasë.
Muttefek alejhi.Profeti ﷺ në këtë hadith sqaron se vdekja do të sillet në Ditën e Kiametit në formën e një dashi, i cili ka (ngjyrë) të bardhë dhe të zezë. Do të bëhet thirrja: "O banorë të Xhenetit!" Ata do t'i zgjasin qafat dhe do t'i ngrenë kokat për të shikuar. Ai pyet: "A e dini këtë?" Ata thonë: "Po, kjo është vdekja." Dhe, të gjithë tanimë e shohin dhe e njohin. Pastaj thirrësi thërret: "O banorë të Xhehenemit!" Ata do t'i zgjasin qafat dhe do t'i ngrenë kokat për të shikuar. Ai pyet: "E njihni këtë?" Ata thonë: "Po, kjo është vdekja." Dhe, të gjithë tanimë e kanë parë; pastaj ajo theret. Në atë rast thirrësi thotë: "O banorë të Xhenetit, jetoni përjetësisht, se nuk ka më vdekje, dhe, o banorë të Zjarrit, jetoni përjetësisht, se nuk ka më vdekje!” E, kjo do të jetë shtim për lumturinë e besimtarëve dhe hakmarrje për t'i dënuar jobesimtarët. Pastaj Profeti ﷺ lexoi ajetin: “Paralajmëroji ata (o Muhamed) për Ditën e Pikëllimit, kur do të japin llogari, ndonëse tani ata janë të shkujdesur dhe nuk besojnë.” (Merjem, 39) Dita e Kiametit bën që të ndahen banorët e Xhenetit dhe të Zjarrit, ku secili do të hyjë në atë që ka ndjekur dhe do të qëndrojë aty përgjithmonë. Keqbërësi pendohet dhe i bie pishman përse nuk ka bërë mirë, gjithashtu ai që u tregua i mangët i bie pishman përse nuk shtoi më shumë vepra të mira.
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: "Ithtarët e Librit e lexonin Tevratin hebraisht dhe ua komentonin muslimanëve në arabisht." I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Mos u besoni ithtarëve të Librit e as mos i përgënjeshtroni, por: “Thoni: “Ne besojmë në Allahun, në atë që na është shpallur neve (Kuranin)...” (El Bekare, 136)
E shënon Buhariu.Profeti ﷺ e paralajmëroi umetin e tij që të mos mashtrohen nga ajo që ithtarët e Librit e transmetojnë nga librat e tyre, meqë gjatë kohës së Profetit ﷺ hebrenjtë e lexonin Tevratin në gjuhën hebraike, e cila ishte gjuha e hebrenjve, si dhe e komentonin atë në arabisht. Profeti ﷺ u tha: "Mos u besoni ithtarëve të Librit e as mos i përgënjeshtroni!" Kjo është për ato gjëra, që nuk dihet a janë të vërteta a gënjeshtra, për faktin se Allahu i Lartësuar na ka urdhëruar të besojmë në Kuranin që na është shpallur dhe në Librat që u janë shpallur atyre, përveçse ne nuk kemi mundësi të dimë nëse ajo që ata thonë nga ata libra është e vërtetë apo e pavërtetë, nëse nuk ka asgjë në legjislacionin (sheriatin) tonë, që e bën të qartë të vërtetën nga e pavërteta, e, kësisoj ndalemi: as nuk u besojmë, që të mos bëhemi ortakë me ta në atë që shtrembëruan, as i përgënjeshtrojmë; mbase është e vërtetë (ajo që thonë), kështu që po e mohojmë atë që jemi urdhëruar ta besojmë. Prandaj, Profeti ﷺ na urdhëroi të themi: "Thoni: “Ne besojmë në Allahun, në atë që na është shpallur neve (Kuranin), në atë që i është shpallur Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Jakubit dhe Esbatëve (bijve të Jakubit), në atë që i është dhënë Musait e Isait dhe në atë që u është dhënë profetëve nga Zoti i tyre. Ne nuk bëjmë kurrfarë dallimi midis tyre dhe vetëm Allahut i përulemi.” (El Bekare, 136)
Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: "Profeti ﷺ nuk e dinte ku mbaronte surja derisa i zbriste: "Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!"
E shënon Ebu Davudi.Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) sqaron se suret e Kuranit të Madhërishëm i shpalleshin Profetit ﷺ dhe ai nuk e dinte ndarjen dhe fundin e saj, derisa i zbriste: "Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!". Kësisoj e dinte se surja e mëparshme kishte përfunduar dhe se ishte fillimi i një sureje të re.
Abdullah ibn Amër ibn Asi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: "Lexuesit të Kuranit do t’i thuhet (në Ditën e Gjykimit): "Lexo dhe ngrihu (shkallëve të Xhenetit), lexo drejt dhe bukur, siç ke lexuar në dynja, se vendi yt është në ajetin e fundit që e lexon.”
E shënon Ebu Davudi.Profeti ﷺ në këtë hadith tregoi se lexuesit të Kuranit, i cili e jetëson atë e në vazhdimësi e lexon dhe e mëson përmendsh, kur të hyjë në Xhenet, do t'i thuhet: "Lexoje Kuranin dhe ngrihu përmes kësaj në shkallët e Xhenetit, si dhe lexoje drejt e bukur, ashtu siç e ke lexuar në dynja me kujdes dhe me qetësi, se vendi yt është në ajetin e fundit që lexon."
Ebu Abdurrahman Sulemiu (Allahu e pastë mëshiruar!) ka thënë: Na kanë treguar ata që na mësonin Kuranin nga sahabët e Profetit ﷺ, se ata i mësonin dhjetë ajete nga Profeti ﷺ dhe nuk i mësonin dhjetë ajete të tjera pa e mësuar dijen dhe veprimin që përmbanin ato. Kështu thoshin: "E mësuam dijen dhe veprimin (së bashku)."
E shënon Ahmedi.Sahabët (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) i mësonin nga i Dërguari i Allahut ﷺ dhjetë ajete të Kuranit dhe nuk kalonin në asnjë ajet tjetër pa mësuar dijen që përmbanin këto dhjetë ajete dhe duke e vënë në praktikë, kësisoj e mësuan dijen dhe veprimin së bashku.
Ubej ibn Kabi (Allahu qoftë i kënaqur me të) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ i ka thënë: “O Ebu Mundhir, a e di se cili është ajeti më i madh (më me vlerë) në Librin e Allahut, që e ke me vete?” - Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri, - i thashë. - “O Ebu Mundhir, a e di se cili është ajeti më i madh (më me vlerë) në Librin e Allahut, që e ke me vete?” - më pyeti sërish. - “Allahu! Nuk ka zot tjetër (që meriton adhurimin) përveç Tij, të Përjetshmit, Mbajtësit të gjithçkaje!” (El Bekare, 255) - i thashë. Atëherë me goditi në gjoks dhe më tha: “Për Allahun, e gëzofsh dijen, o Ebu Mundhir!”
E shënon Muslimi.Profeti ﷺ e pyeti Ubej ibn Kabin për ajetin më madhështor në Librin e Allahut, kështu që ai hezitoi të përgjigjej, pastaj tha: "Është ajeti kursij: “Allahu! Nuk ka zot tjetër (që meriton adhurimin) përveç Tij, të Përjetshmit, Mbajtësit të gjithçkaje!” (El Bekare, 255) - Profeti ﷺ e mbështeti dhe e goditi gjoksin e tij si shenjë se ishte i mbushur me dituri dhe urtësi, si dhe u lut që ai të gëzohej me këtë dituri dhe t'i lehtësohej."
Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: "Çdo natë, kur Profeti ﷺ binte në shtrat, i bashkonte shuplakat e duarve dhe frynte në to duke lexuar suret: el Ihlas, el Felek dhe en Nas, e më pas e përshkonte trupin sa kishte mundësi. Fillonte nga koka dhe fytyra duke vazhduar pastaj me pjesën e mbetur. Kështu vepronte tri herë radhazi."
E shënon Buhariu.Një nga udhëzimet e Profetit ﷺ ishte se, kur binte në shtrat për të fjetur, i bashkonte shuplakat e duarve dhe i çonte ato, - siç bën lutësi gjatë lutjes, - dhe frynte butësisht nga goja e tij me një të fryrë të vogël, e cila përmbante pakëz pështymë dhe i lexonte tri suret: el Ihlas, el Felek dhe en Nas*, e më pas e përshkonte trupin me duart e tij, aq sa kishte mundësi. Fillonte nga koka dhe fytyra duke vazhduar pastaj me pjesën e mbetur përpara trupit të tij. Kështu vepronte tri herë radhazi.
Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: "I Dërguari i Allahut e lexoi këtë ajet: “Është Ai që të ka shpallur ty (Muhamed) Librin, disa ajete të të cilit janë të qarta e me kuptim të drejtpërdrejtë. Ato janë themelet e Librit, kurse disa (ajete) të tjera janë jo krejtësisht të qarta (me kuptime alegorike). Ata, zemrat e të cilëve priren nga e pavërteta, ndjekin ajetet më pak të qarta, duke kërkuar të krijojnë pështjellim dhe duke kërkuar t'i komentojnë sipas dëshirës së vet. Por, kuptimin e tyre të vërtetë e di vetëm Allahu. Ndërkaq, ata që janë thelluar në dijeni, thonë: "Ne i besojmë (Kuranit). Të gjitha këto (ajete të qarta e alegorike) janë nga Zoti ynë! Këtë e kuptojnë vetëm mendarët.” (Ali Imran, 7) - dhe tha: “Kur t'i shohësh ata që ndjekin ajetet jo krejtësisht të qarta, këta janë ata të cilët Allahu i ka përmendur. Andaj, ruajuni prej tyre!”
Muttefek alejhi.Profeti ﷺ e lexoi këtë ajet: “Është Ai që të ka shpallur ty (Muhamed) Librin, disa ajete të të cilit janë të qarta e me kuptim të drejtpërdrejtë. Ato janë themelet e Librit. Kurse disa (ajete) të tjera janë jo krejtësisht të qarta (me kuptime alegorike). Ata, zemrat e të cilëve priren nga e pavërteta, ndjekin ajetet më pak të qarta, duke kërkuar të krijojnë pështjellim dhe duke kërkuar t'i komentojnë sipas dëshirës së vet. Por, kuptimin e tyre të vërtetë e di vetëm Allahu. Ndërsa ata që janë thelluar në dijeni, thonë: "Ne i besojmë (Kuranit). Të gjitha këto (ajete të qarta e alegorike) janë nga Zoti ynë! Këtë e kuptojnë vetëm mendarët.” (Ali Imran, 7) Në këtë ajet, Allahu i Lartësuar tregoi se Ai është që ia zbriti Profetit të Tij Kuranin, i cili përfshin ajete me kuptim të qartë, vendimet e të cilit janë të ditura e nuk ka pështjellime, e të cilat janë themelet e Librit dhe referenca e tij, respektivisht janë referencë kur ka mospajtime. Ka edhe ajete të tjera që bartin më shumë se një kuptim, kuptimi i të cilave disa njerëzve u përzihet, ose mendojnë se ka kontradiktë midis tyre dhe ajeteve të tjera. Më pas Allahu e sqaroi se si duhet të sillen njerëzit me këto ajete; kështu që ata, zemrat e të cilëve priren nga e pavërteta, i braktisin ajetet e qarta e me kuptim të drejtpërdrejtë, e i marrin ajetet jo krejtësisht të qarta, e që bartin disa kuptime, duke synuar me këtë të ngjallin dyshime dhe t'i devijojnë njerëzit, si dhe synojnë t'i interpretojnë sipas asaj që pajtohet me dëshirat e tyre, ndërsa ata që janë të palëkundur në dituri, e dinë se këto janë ajete jo krejtësisht të qarta, kështu që i kthejnë tek ajetet e qarta e me kuptim të drejtpërdrejtë; u besojnë dhe besojnë se janë prej Allahut të Lartësuar, e nuk mund të pështjellohen ose të kenë kontradiktë mes vete, por vetëm ata me mendje të shëndoshë mund të marrin mësim. Pastaj Profeti ﷺ i tha nënës së besimtarëve, Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të!), se, kur t'i shohësh ata që ndjekin ajetet jo krejtësisht të qarta, këta janë ata të cilët Allahu i ka përmendur në fjalën e Tij: "Ata, zemrat e të cilëve priren nga e pavërteta", andaj ruajuni prej tyre e mos i dëgjoni!