





























Hadeeth Cards
Da'wa cards that highlight great meanings from the noble prophetic hadiths in a simple style and attractive display that helps the Muslim to have a deeper understanding of his religion in an easy way
All
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: "Kur ndokush e takon vëllanë e tij, le t’i japë selam. Nëse një pemë, një mur ose një gur i ndan ata e pastaj takohen përsëri, le t’i japë selam edhe atëherë."
Transmeton Ebu DavudiProfeti ﷺ në këtë hadith e inkurajon muslimanin t'i japë selam vëllait të tij musliman sa herë që e takon, edhe nëse ata ecin bashkë dhe një pengesë, bie fjala, një pemë, mur ose gur i madh i ndan. Kur ata takohen sërish, i japin selam njëri-tjetrit.
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “A doni t'ju tregoj për një gjë, me të cilën Allahu jua fshin mëkatet dhe jua lartëson gradat?” - Posi, o i Dërguari i Allahut! - thanë të pranishmit. Ai tha: “Përsosja e abdesit në kohë vështirësie, hapat e shumtë për në xhami dhe pritja e namazit pas namazit, kjo konsiderohet "ribat" (qëndrim në gatishmëri ushtarake nëpër kufij).”
Transmeton MuslimiProfeti ﷺ i pyeti shokët e tij nëse dëshironin që t'u tregonte për vepra që do të ishin shkak për faljen e mëkateve dhe fshirjen e tyre nga regjistrat e melekëve shkrues, si dhe në ngritjen e pozitave të larta në Xhenet? Sahabët thanë: "Po, e duam një gjë të tillë." E para: plotësimi dhe përsosja e abdesit në raste vështirësie, si: i ftohti, mungesa e ujit, dhimbjet e trupit dhe uji i nxehtë. E dyta: hapat e shumtë për të shkuar në xhami, edhe nëse është larg. E treta: pritja e kohës së namazit, lidhja e zemrës me të, gatishmëria për të dhe ulja në xhami për të pritur namazin me xhemat, dhe qëndrimi pas faljes në vendin e tij për faljen e namazit tjetër. Pastaj Profeti ﷺ sqaroi se këto vepra janë gatishmëria e vërtetë, për shkak se ua mbyllin rrugët shejtanit që të sundojë mbi shpirtin, i mposhtin dëshirat e shfrenuara dhe e mbrojnë shpirtin nga cytjet, kështu që ushtria e Allahut i mund ushtarët e shejtanit përmes këtyre adhurimeve, e ky është xhihadi më i madh, andaj kjo konsiderohet si gjendje gatishmërie në kufi me armikun.
Ebu Derdai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Profeti ﷺ ka thënë: "A t'ju tregoj për veprën tuaj më të mirë, më të pastër te Sunduesi juaj dhe më të lartë për ju në pozitë; më të mirë për ju se shpenzimi i arit dhe argjendit dhe më të mirë për ju sesa të përballeni me armikun tuaj: t'u mëshoni në qafat e tyre dhe t'ju mëshojnë në qafat tuaja?" Thanë: "Patjetër." Atëherë Profeti ﷺ tha: "Përkujtimi i Allahut të Lartësuar."
Transmetojnë Tirmidhiu, Ibn Maxhe dhe AhmediProfeti ﷺ i pyeti sahabët: A doni t'ju tregoj dhe t'ju mësoj për veprën tuaj më të mirë, më fisnike, më të frytshme, më të pastër dhe më të dëlirë tek Allahu, Sunduesi i Lartmadhëruar? Më e larta në shkallët tuaja në Xhenet? Më e mirë për ju sesa të jepni lëmoshë ari dhe argjend? Më e mirë për ju sesa t'i takoni jobesimtarët për t'i luftuar, kur ua mëshoni qafave të tyre dhe jua mëshojnë qafave tuaja? Sahabët thanë: "Po, e duam një gjë të tillë." Profeti ﷺ tha: "Dhikri - përmendja dhe përkujtimi i Allahut të Lartësuar në çdo kohë, në çdo fromë dhe gjendje."
Sulejman ibn Suredi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa po qëndroja me Profetin ﷺ, dy burra filluan të grindeshin (shaheshin) mes vete. Njërit prej tyre iu skuq fytyra dhe iu frynë damarët (nga zemërimi). Profeti ﷺ tha: “Unë di një fjalë, të cilën nëse e thotë, do t'i kalojë ajo që e ka kapluar. Sikur të thotë: “Eudhu bilahi mine shejtani (Kërkoj mbrojtjen e Allahut kundrejt shejtanit!)”, do t'i kalojë kjo gjendje që e ka kapluar.” Andaj, personit në fjalë i thanë: “Profeti ﷺ po thotë të kërkosh mbrojtjen e Allahut kundrejt shejtanit.” Ai tha: “Vallë, mos jam gjë i çmendur?”
Muttefek alejhiDy burra e shanë dhe e fyen njëri-tjetrin në praninë e Profetit ﷺ dhe fytyra e njërit prej tyre u skuq, ndërsa damarët rreth qafës së tij iu frynë. Profeti ﷺ tha: "Unë di një fjalë, që sikur ta thoshte ky i zemëruari, do t'i largohej zemërimi. Sikur të thoshte: "Kërkoj mbrojtjen e Allahut kundrejt shejtanit të mallkuar." Të pranishmit i thanë: Profeti ﷺ ka thënë: "Kërko mbrojtje tek Allahu nga shejtani!" Ai tha: "A jam unë i çmendur?! Mendoi se nuk kërkon mbrojtje që të ruhet nga shejtani askush, veçse ai që është i çmendur."
Ebu Katadja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Profeti ﷺ ka thënë: “Ëndrrat e mira janë prej Allahut, ndërsa të këqijat janë prej shejtanit. Nëse dikush sheh një ëndërr të keqe, prej së cilës frikohet, le të pështyjë lehtë në të majtë dhe le të kërkojë mbrojtjen e Allahut prej dëmit të saj, se kështu ajo nuk e dëmton.”
Muttefek alejhiProfeti ﷺ në këtë hadith ka treguar se ëndrrat e mira dhe të gëzueshme janë prej Allahut, ndërsa ëndrra që njeriu e urren dhe që e mërzit është prej shejtanit. Prandaj, kush sheh diçka që e urren, le të pështyjë lehtë në anën e majtë dhe të kërkojë mbrojtjen e Allahut nga e keqja e saj, se kështu ajo nuk e dëmton, sepse Allahu e ka bërë këtë që përmendet si mjet mbrojtës nga e keqja, që mund të vijë prej asaj ëndrre.
Ukbe ibn Amiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se e ka pyetur të Dërguarin e Allahut ç'është shpëtimi? Ai i tha: "Përmbaje gjuhën tënde, qëndro në shtëpinë tënde dhe qaj për mëkatin tënd."
Transmetojnë Tirmidhiu dhe AhmediUkbe ibn Amiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) e pyeti Profetin ﷺ për shkaqet e shpëtimit të besimtarit në dynja dhe në ahiret, me ç'rast Profeti ﷺ i tha t'i ketë parasysh tri gjëra: E para: Ruaje gjuhën nga çdo gjë që nuk ka dobi dhe nga çdo fjalë e keqe, dhe fol vetëm mirë! E dyta: Qëndro në shtëpinë tënde për të adhuruar Allahun në vetmi, angazhohu me adhurimin dhe bindjen ndaj Allahut të Lartmadhëruar, dhe izolohu në shtëpinë tënde që të ruhesh prej sprovave (fitneve). E treta: Qaj, bjeri pishman dhe pendohu për mëkatet që ke bërë.
Nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) përcillet se një beduin erdhi te Profeti (paqja qoftë mbi të!) dhe i tha: "Më trego për një punë që nëse e bëj, hyj në Xhenet!" Profeti (paqja qoftë mbi të!) tha: 'Të adhurosh Allahun pa i bërë Atij asgjë ortak, të falësh namazin obligativ, të japësh zekatin e detyrueshëm dhe të agjërosh Ramazanin.' Beduini tha: 'Betohem për Atë në dorën e të Cilit është shpirti im se nuk do të bëj më shumë se kaq! Kur u largua, Profeti (paqja qoftë mbi të!) tha: 'Kush ka dëshirë të shohë një njeri prej banorëve të Xhenetit, le të shohë këtë!'
Muttefek alejhiNjë beduin nga banorët e shkretëtirës erdhi te Profeti (paqja qoftë mbi të!) që Profeti t'i tregonte atij për një punë, e cila do ta fuste atë në Xhenet. Profeti (paqja qoftë mbi të!) iu përgjigj se hyrja në Xhenet dhe shpëtimi nga Zjarri kushtëzohen me përmbushjen e shtyllave të Islamit, si: adhurimi i Allahut të Vetmit dhe mosbërja e asgjëje ortak me të. Falja e pesë namazeve që Allahu ua ka bërë obligim robërve të Tij gjatë natës dhe ditës, dhënia e zekatit që Allahu e ka bërë obligim atyre që e meritojnë, dhe të tregosh kujdes që muajin e Ramazanit ta agjërosh në kohën e vet. Burri tha: "Betohem për Atë në Dorën e të Cilit është shpirti im se nuk do të bëj asnjë adhurim më tepër se këto vepra obligative që i dëgjova prej teje dhe se nuk do të pakësoj asgjë prej tyre!" Kur u largua, Profeti (paqja qoftë mbi të!) tha: "Kush dëshiron të shohë një burrë nga banorët e Xhenetit, le të shohë këtë beduinin!"
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Profeti ﷺ ka thënë: “Qoftë i nënçmuar! Qoftë i nënçmuar! Qoftë i nënçmuar!” Dikush e pyeti: 'Kush, o i Dërguari i Allahut?' - 'Ai që e arrin pleqërinë e njërit ose dy prindërve dhe nuk e fiton Xhenetin'”, - tha Profeti ﷺ.
Transmeton MuslimiProfeti ﷺ u lut tri herë për një njeri që të poshtërohet dhe të nënçmohet si mos më keq. Kur e pyetën se kush është ky njeri o Profet i Allahut që po lutesh kundër tij, ai tha se ky njeri është ai që e arrin pleqërinë e njërit ose dy prindërve të tij dhe ata nuk bëhen shkak që ai të fitojë Xhenetin; për shkak të sjelljes jo të mirë me ta dhe të mosbindjes ndaj tyre.
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: "Teksa i Dërguari i Allahut ﷺ po ecte rrugës për në Mekë, kaloi pranë një kodre që quhej Xhumdan dhe tha: 'Ecni, se ky është Xhumdani! Kanë përparuar muferridunët!' - Cilët janë muferridunët, o i Dërguari i Allahut? - pyetën ata. - 'Ata burra dhe ato gra që e përmendin Allahun shumë', - tha Pejgamberi ﷺ."
Transmeton MuslimiProfeti ﷺ në këtë hadith sqaroi pozitën e atyre që e përmendin shpesh Allahun dhe se ata janë veçuar duke u paraprirë të tjerëve në arritjen e shkallëve më të larta në Xhenetet e mirësisë, si dhe i krahasoi me kodrën Xhumdan, e cila dallon nga kodrat e tjera.