





























Hadeeth Cards
Da'wa cards that highlight great meanings from the noble prophetic hadiths in a simple style and attractive display that helps the Muslim to have a deeper understanding of his religion in an easy way
All
Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Kur dikush sheh në ëndërr diçka që e pëlqen, ajo është prej Allahut, andaj le ta lavdërojë Allahun për të dhe le t'ua tregojë të tjerëve. E, kur të shohë gjëra të tjera që i urren, ato janë prej shejtanit, le të kërkojë mbrojtje kundrejt sherrit të saj dhe të mos ia tregojë askujt, pas kësaj ajo s'do t'i bëjë dëm!”
Transmeton BuhariuProfeti ﷺ në këtë hadith ka treguar se ëndrra e mirë dhe e gëzueshme në gjumë është nga Allahu dhe ka udhëzuar që njeriu ta lavdërojë Allahun për të dhe ta tregojë atë. Ndërsa, nëse sheh diçka që e urren dhe e pikëllon, ajo është nga shejtani, prandaj le të kërkojë mbrojtje tek Allahu nga e keqja e saj dhe të mos ia tregojë askujt, sepse ajo nuk do ta dëmtojë, pasi Allahu e ka bërë fshehjen e saj një mjet mbrojtjeje nga dëmi që mund të vijë prej saj.
Suhejbi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Sa e çuditshme që është çështja e besimtarit: gjithçka që e godet atë, është në të mirën e tij dhe kjo nuk është për askënd përveç besimtarit. Kur e kaplon ndonjë begati, ai falënderon, gjë që është në të mirën e tij, e, nëse e godet ndonjë vështirësi, ai bën durim, gjë që është po në të mirën e tij.”
Transmeton MuslimiProfeti ﷺ është çuditur me çështjen dhe gjendjen e besimtarit, duke e konsideruar këtë si diçka të bukur, ngase të gjitha situatat nëpër të cilat ai kalon, janë të mira për të, e kjo nuk është për askënd përveç besimtarit. Kur e kaplon ndonjë gëzim, e falënderon Allahun për të dhe kësisoj përmes falënderimit merr shpërblim. E, nëse e godet ndonjë hidhërim, duron dhe shpreson shpërblim prej Allahut, e kështu merr shpërblim prej durimit; pra ai është i shpërblyeshëm në çdo situatë.
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, sa herë që teshtinte i Dërguari i Allahut ﷺ, vendoste në gojën e tij dorën ose rrobën, me to e zvogëlonte ose e ulte zërin.
Transmetojnë Ebu Davudi, Tirmidhiu dhe AhmediKur Profeti ﷺ teshtinte: Së pari e vendoste dorën ose rrobën e tij në gojë, që nga goja ose hunda të mos dilte asgjë që mund të dëmtonte bashkëbiseduesin e tij. Së dyti, e ulte zërin dhe nuk e ngrinte.
Nga Usame ibn Zejdi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmetohet se i është thënë: "Sikur të shkoje tek Othmani dhe të flisje me të (rreth fitnes)!" Ai u tha: "Ju po mendoni se nuk i kam folur atij, meqë nuk po ju tregoj?! Për Allahun, unë i kam folur atij (për këto çështje) në fshehtësi, pa hapur një derë (atë të fitnes), gjë që nuk dua të jem unë i pari që e hap atë derë. Pas një hadithi që e kam dëgjuar prej të Dërguarit të Allahut ﷺ, askujt nuk i them se është më i miri i njerëzve, madje edhe në qoftë prijësi im: “Në Ditën e Kiametit, një njeri do të sillet dhe do të hidhet në Zjarr, ku do t'i shkapërderdhen zorrët e barkut nëpër zjarr. Ai do të sillet rreth tyre siç sillet gomari rreth rrotës së mullirit. Banorët e Zjarrit do të tubohen rreth tij dhe do ta pyesin: "O filan, ç'është puna jote? A nuk urdhëroje për të mirë dhe ndaloje të keqen (në dynja)?" Ai do të përgjigjet: "Po, urdhëroja për të mirë, por vetë nuk e punoja, si dhe ndaloja të keqen, por vetë e veproja.”
Muttefek alejhiUsame ibn Zejdit (Allahu qoftë i kënaqur me të!) iu tha: "Sikur të shkoje tek Othman ibn Afani (Allahu qoftë i kënaqur me të!) dhe t'i flisje rreth fitnes që ka ndodhur mes njerëzve dhe të përpiqeshe ta shuaje atë." Ai i njoftoi se kishte folur me të në fshehtësi, duke synuar kështu dobi (për të gjithë), e jo për të nxitur fitne (trazira). Qëllimi i tij ishte se nuk dëshironte t'i refuzonte e t'i qortonte hapur prijësit para masës, e kështu të ishte shkak që kalifi të kritikohej, sepse kjo është derë për trazira dhe sherr, gjë që nuk donte të ishte i pari që do ta hapte atë. Pastaj Usama (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tha se ai këshillonte udhëheqësit fshehurazi dhe nuk bënte lajka me askënd, madje as me ndonjë udhëheqës. Ai nuk bënte servilizëm me ta e t'i lavëdronte para syve në mënyrë të rreme, pasi që kishte dëgjuar nga Profeti ﷺ se në Ditën e Kiametit do të sillet një njeri dhe do të hidhet në Zjarr, ku zorrët e tij do të dalin jashtë barkut në mënyrë të shpejtë nga nxehtësia e madhe dhe ndëshkimi i ashpër. Ai do të sillet në Zjarr në këtë gjendje, duke u rrotulluar me zorrët e të tij rreth tij, si gomari që rrotullohet rreth gurit të mullirit. Atëherë banorët e Zjarrit do të mblidhen rreth tij në formë rrethi dhe do ta pyesin: “O filan, a nuk ishe ti ai që urdhëroje për të mirë dhe ndaloje nga e keqja?!” E thotë: "Urdhëroja në të mirë, e vetë nuk e veproja; ndaloja të keqen, e vetë e veproja."
Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kushdo që përkujdeset për dy vajza, derisa të rriten, në Ditën e Kiametit do të jetë afër meje kështu,- dhe i bashkoi gishtat."
Transmeton MuslimiProfeti ﷺ në këtë hadith ka treguar se kushdo që është begatuar me dy vajza ose dy motra dhe kujdeset për to, duke u siguruar furnizimin, edukimin, udhëzimin drejt së mirës dhe tërheqjen e vërejtjes nga e keqja dhe të ngjashme me këto, derisa të rriten dhe të arrijnë moshën madhore, ai do të jetë në Ditën e Kiametit bashkë me Profetin ﷺ "...si këto dy" (gishta): dhe ai bashkoi gishtin tregues dhe të mesit.
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Nuk keni për të hyrë në Xhenet derisa të besoni, e nuk keni për të besuar derisa të duheni mes vete. A t’ju tregoj për një gjë që, nëse e bëni, do të duheni ndërmjet vete? Përhapeni selamin në mesin tuaj!”
Transmeton MuslimiProfeti ﷺ në këtë hadith sqaroi se vetëm besimtarët do të hyjnë në Xhenet dhe besimi nuk është i plotë dhe gjendja e shoqërisë islame nuk përmirësohet derisa ata të duan njëri-tjetrin. Pastaj Profeti ﷺ na drejtoi drejt gjërave më të mira, përmes të cilave mbizotëron dashuria, që janë: përhapja e selamit mes muslimanëve, të cilën Allahu e ka bërë përshëndetje për robërit e Tij.
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton: "Teksa ishim me të Dërguarin e Allahut ﷺ, u dëgjua një krismë (sikur të binte diç nga lart) dhe, në atë rast, Profeti ﷺ tha: “E dini çfarë është kjo krismë? - Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri, - i thamë. - “Ky është një gur që ishte hedhur në Zjarr para shtatëdhjetë vjetësh. Ai po binte ende në Zjarr derisa e arriti fundin e tij”, - tha Profeti ﷺ."
Transmeton MuslimiProfeti ﷺ dëgjoi një zhurmë shqetësuese si rënia e një trupi, kështu që i pyeti shokët e tij (Allahu qoftë i kënaqur me ta!), për atë zë, sakaq thanë: "Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri." Profeti ﷺ u tha: "Ky zë që e dëgjuat është i një guri që është hedhur nga skaji i Xhehenemit shtatëdhjetë vjet më parë. Ai po binte ende në Zjarr derisa e arriti fundin e tij, kur e dëgjuat këtë zë."
Seleme ibën Ekvai (Allahu qoftë i kënaqur me të) tregon: "Njëherë, një person hëngri me dorën e majtë në prani të të Dërguarit të Allahut ﷺ, e ai i tha: - “Ha me të djathtën!” - Nuk mundem, - ia ktheu ai. - “Mos mundsh!” - tha Profeti ﷺ. E ndaloi mendjemadhësia nga kjo dhe kështu më s'mundi ta ngrejë deri te goja."
Transmeton MuslimiProfeti ﷺ pa një njeri duke ngrënë me dorën e majtë, kësisoj e urdhëroi të hante me dorën e djathtë. Ky njeri u përgjigj me mendjemadhësi dhe rrejshëm tha se nuk mundej! Prandaj, Profeti ﷺ u lut kundër tij që të privohej nga të ngrënët me dorën e djathtë. Kësisoj Allahu iu përgjigj lutjes së Profetit të Tij, kur ja, dora e tij e djathtë u paralizua, kështu që nuk mund ta ngrinte deri te goja pas kësaj, as për ushqim, as për pije.
Nga Ebu Umameh (Allahu qoftë i kënaqur me të!) përcillet se ka thënë se e ka dëgjuar Profetin e Allahut (paqja qoftë mbi të!), duke predikuar në Haxhin e lamtumirës: "Kini frikë Allahun, Zotin tuaj, falni pesë namazet tuaja, agjëroni muajin tuaj, jepeni zekatin e pasurive tuaja dhe bindjuni të parit tuaj, që të hyni në Xhenetin e Zotit tuaj!"
Transmetojnë Tirmidhiu dhe AhmediProfeti (paqja qoftë mbi të!) mbajti një predikim në ditën e Arafatit në Haxhin e lamtumirës, i cili u zhvillua në vitin e dhjetë të hixhretit. Ky haxh e mori këtë emërtim për shkak se në të Profeti (paqja qoftë mbi të!) i dha lamtumirën njerëzve. Ai i urdhëroi të gjithë njerëzit që t'i frikësohen Zotit të tyre, duke i përmbushur urdhëresat dhe duke u shmangur nga ndalesat e Tij. Ai i urdhëroi gjithashtu që të falnin pesë namazet që Allahu i Madhërishëm ua kishte bërë obligim gjatë ditës dhe gjatë natës dhe që të agjëronin muajin e Ramazanit. I urdhëroi po ashtu që t'ua jepnin zekatin e pasurive atyre që e meritojnë dhe të mos tregohen dorështrënguar, si dhe që t'i binden atyre që Allahu i ka bërë udhëheqës të tyre, me përjashtim kur urdhërojnë për ndonjë mëkat. Shpërblimi i atij që i bën gjërat e lartpërmendura është Xheneti.