





























Hadeeth Cards
Da'wa cards that highlight great meanings from the noble prophetic hadiths in a simple style and attractive display that helps the Muslim to have a deeper understanding of his religion in an easy way
All
Abas ibn Abdulmutalibi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton: Thashë: “O i Dërguari i Allahut, më mëso diçka që ta lus Allahun e Lartadhëruar!” Ai tha: “Kërkoji Allahut mirëqenie!” Pas disa ditësh shkova tek ai dhe i thashë: "O i Dërguari i Allahut, më mëso diçka që ta lus Allahun." Ai më tha: “O Abas, o xhaxhai i të Dërguarit të Allahut, lute Allahun të të japë mirëqenie në këtë botë dhe në botën tjetër!"
Transmetojnë Tirmidhiu dhe AhmediXhaxhai i Profetit ﷺ, Abasi ibn Abdulmutalibi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i kërkoi Profetit ﷺ t’i mësonte një dua që të mund t’i drejtohej Allahut me të, kështu që Profeti ﷺ i mësoi atij të kërkonte nga Allahu mirëqenie dhe shpëtim nga sprovat dhe të metat, qoftë në fe, qoftë në këtë botë, qoftë në botën tjetër. Pas disa ditësh, Abasi u kthye përsëri te Profeti ﷺ dhe i kërkoi që t’i mësonte një dua tjetër për t’iu lutur Allahut. Atëherë Profeti ﷺ, me dashamirësi i tha: "O Abas, o xhaxhai i të Dërguarit të Allahut, kërko nga Allahu mirëqenie, që të të largojë çdo të keqe dhe të të sjellë çdo të mirë e dobi, qoftë në këtë botë, qoftë në botën tjetër!
Abdurrahman ibën Ebi Lejla tregon: "Njëherë, teksa ishim te Hudhejfe (Allahu qoftë i kënaqur me të!), ai kërkoi ujë për të pirë. Një zjarrputist i dha një enë për të pirë. Posa ia vuri sapllakun në dorë, Hudhejfja e gjuajti me të dhe tha: "Sikur të mos ia kisha ndaluar këtë gjë më shumë se një a dy herë!" (Disi deshi të thoshte se, nuk do ta gjuaja me të po të mos ia kisha ndaluar një apo dy herë, por në fakt, ia kam ndaluar më shumë se një apo dy herë!). E kam dëgjuar Profetin ﷺ duke thënë: “Mos vishni mëndafsh e as veshje të përziera me mëndafsh, mos pini në enë prej ari e argjendi dhe mos hani në enë të tilla, sepse ato janë për ta (jobesimtarët) në dynja, kurse për ne në ahiret!”
Muttefek alejhiProfeti ﷺ në këtë hadith e ka ndaluar që burrat të veshin mëndafsh, dhe këtu përfshihen të gjitha llojet e tij. Gjithashu ai i ka ndaluar meshkujt dhe femrat të hanë e të pinë në enët e arit dhe argjendit. Ai ka treguar se ato janë ekskluzive për besimtarët në Ditën e Kiametit, ngaqë nuk i përdorën ato në këtë botë në shenjë nënshtrimi ndaj Allahut. E, sa u përket jobesimtarëve, ata nuk do të kenë gjëra të tilla në ahiret, sepse të mirat e tyre i përshpejtuan në jetën e kësaj bote duke i përdorur dhe duke e kundërshtuar urdhrin e Allahut.
Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Profeti ﷺ ka thënë: "Ai që vesh mëndafsh në këtë botë, nuk do të veshë në botën tjetër."
Muttefek alejhiProfeti ﷺ në këtë hadith sqaroi se ai burrë që vesh mëndafsh në këtë botë, nuk do të veshë në botën tjetër, si dënim për të, normal, nëse nuk pendohet.
Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një ditë, Muavija doli në xhami. Aty ai pa një grup njerëzish të tubuar dhe i pyeti: - Përse jeni ulur kështu? - Jemi ulur që të përmendim Allahun, - u përgjigjën ata. - Betohuni për Allahun se vetëm për këtë jeni ulur? - u tha Muavija. - Betohemi për Allahun se nuk jemi ulur për asgjë tjetër pos kësaj. Atëherë, Muavija u tha: “Nuk ju kërkova të betoheni se po ju akuzoj. Madje nuk mendoj se dikush aq i afërt sa unë me të Dërguarin e Allahut të ketë transmetuar më pak hadithe se unë. E megjithatë (mbaj mend që) një ditë, i Dërguari i Allahut ﷺ pa një grup sahabësh të tubuar dhe i pyeti: - "Përse jeni ulur kështu?" - Jemi ulur të përmendim Allahun e ta falënderojmë që na ka udhëzuar në Islam dhe na ka begatuar me të, - u përgjigjën ata. - "Betohuni për Allahun se vetëm për këtë jeni ulur!" - i tha Profeti ﷺ. - Betohemi për Allahun se nuk jemi ulur për asgjë tjetër pos kësaj-thanë ata. Atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ u tha: “Nuk ju kërkova të betoheni se ju akuzoj, por Xhibrili më erdhi dhe më tregoi se Allahu i Madhërishëm po krenohet me ju përpara melekëve.”
Transmeton MuslimiMuavija ibn Ebu Sufjani (Allahu qoftë i kënaqur me të!) doli në xhami, ku pa një grup njerëzish të tubuar dhe i pyeti për çfarë arsye ishin mbledhur. Ata iu përgjigjën: "Për të përmendur Allahun." Ai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) u kërkoi të betoheshin nëse vërtet nuk synonin gjë tjetër me këtë tubim përveç përmendjes së Allahut. Dhe ata u betuan. Pastaj u tha: "Nuk ju kërkova të betoheni për arsye se ju akuzoja ose dyshoja në sinqeritetin tuaj." Më pas ai u tregoi për pozitën e tij në raport me Profetin ﷺ dhe se shumë njerëz nuk ishin aq të afërt me të sikur ai, sepse Umu Habibe gruaja e Profetit ﷺ ishte motra e tij, dhe se ai ishte ndër shkruajtësit e shpalljes e përkundër kësaj, transmetonte pak hadithe. Kështu, ai u tha atyre se Profeti ﷺ një ditë doli nga shtëpia e tij dhe i gjeti të ulur në xhami duke e përmendur Allahun dhe duke e lavdëruar Atë për udhëzimin në Islam dhe për begatinë e Islamit që ua dha. Profeti ﷺ i pyeti dhe i kërkoi të bënin be në të njëjtën mënyrë siç bëri Muavia (Allahu qoftë i kënaqur me të!) me shokët e tij. Pastaj Profeti ﷺ u tregoi atyre për arsyen e pyetjes së tij dhe përse i kërkoi të bënin be; arsyeja e kësaj ishte se meleku Xhibril (alejhi selam) vajti tek ai dhe i tha se Allahu i Lartmadhëruar mburret dhe krenohet me ju para melekëve, ua përmend vlerën tuaj, ua tregon punën tuaj të mirë dhe ju lavdëron para tyre.
Xhabir ibën Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të dy!) tregon se e ka dëgjuar Profetin ﷺ duke thënë: “Kur njeriu futet në shtëpinë e tij dhe thotë: "Bismilah" gjatë hyrjes dhe gjatë ngrënies, shejtani thotë: "S'ka konak për ju sonte, e as darkë." Nëse hyn dhe nuk thotë: "Bismilah" gjatë hyrjes, shejtani thotë: "Gjetët konakun." E, nëse as gjatë ushqimit nuk thotë: "Bismilah", ai thotë: "Gjetët konakun dhe darkën.”
Transmeton MuslimiProfeti ﷺ në këtë hadith ka urdhëruar që të përmendet Allahu kur hyjmë në shtëpi dhe para se të hamë ushqim, e, kur ta përmendim Allahun duke thënë: "Bismilah" kur hyjmë në shtëpi dhe kur të fillojmë të hamë, shejtani u thotë ndihmësve të tij: "Ju nuk keni hise në konak e as darkë në këtë shtëpi, sepse pronari i saj është mbrojtur nga ju me përmendjen e Allahut të Lartësuar." Por, nëse njeriu hyn në shtëpinë e tij dhe nuk e përmend Allahun kur hyn ose kur ha ushqim, atëherë shejtani u thotë ndihmësve të tij se për ta ka konak dhe darkë në këtë shtëpi.
Ebu Musa Eshariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Profeti ﷺ ka thënë: “Shoku i mirë dhe shoku i keq i shëmbëllejnë shitësit të parfumit dhe farkëtarit që i fryn gjyrykut: shitësi i parfumit ose të lyen me parfum, ose blen parfum prej tij, ose ndien aromë të këndshme prej tij, kurse farkëtari që i fryn gjyrykut, ose ta djeg rrobën, ose ndien erë të keqe prej tij.”
Muttefek alejhiProfeti ﷺ ka dhënë shembull për dy lloje njerëzish: Lloji i parë: shoku dhe miku i mirë i cili të udhëzon nga Allahu dhe drejt gjërave që e kënaqin Atë dhe të ndihmon për të qenë i bindur ndaj Tij. Shembulli i tij është sikurse i shitësit të parfumit i cili ose të lyen me parfum (të jep parfum), ose blen parfum prej tij, ose ndien aromë të këndshme prej tij. Lloji i dytë: shoku dhe miku i keq, i cili i pengon njerëzit nga rruga e Allahut, ndihmon në kryerjen e gjynaheve dhe prej tij sheh vepra të shëmtuara, kësisoj të përfshin poshtërimi për shkak të shoqërimit dhe uljes me njerëz të tillë. Shembulli i tij është si ai i farkëtarit që i fryn zjarrit i cili ose do të djegë rrobat nga shkëndijat fluturuese të zjarrit, ose do të ndiesh aromë të keqe duke ndenjur pranë tij.
Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: Shpeshherë i Dërguari i Allahut ﷺ e thoshte (këtë lutje): "O rrotullues i zemrave, mbaje zemrën time të qëndrueshme në fenë Tënde!" I thashë: "O i Dërguari i Allahut! Ne të besuam dhe i besuam asaj me të cilën erdhe, a ke frikë për ne? - "Po. Vërtet zemrat janë ndërmjet dy gishtërinjve të Allahut: i rrotullon si të dëshirojë", - iu përgjigj Profeti ﷺ.
Transmetojnë Tirmidhiu dhe AhmediLutja që më së shpeshti e bënte Profeti ﷺ ishte që Allahu ta bënte të qëndrueshëm në fe e në adhurim dhe ta largonte nga devijimi dhe humbja. Enes ibën Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ishte çuditur përse kaq shpesh Profeti ﷺ e thoshte këtë lutje, kështu që Profeti ﷺ i tregoi se zemrat janë ndërmjet dy gishtërinjve të Allahut: i rrotullon si të dojë. Zemra është vendi i imanit dhe kufrit. Zemra është quajtur kësisoj (në arabisht el-kalb), për shkak të luhatjeve të saj të shpeshta. Ajo rrotullohet më shumë sesa vorba kur vlon në tenxhere: atij që dëshiron Allahu, ia vendos zemrën në udhëzim dhe e bën të qëndrueshëm në fe, e atij që dëshiron, ia largon zemrën nga udhëzimi drejt devijimit dhe humbjes.
Ebu Umame tregon se Amër ibën Abese (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i tregon se e ka dëgjuar Profetin ﷺ të thotë: "Zoti është më afër robit në mes të natës, kështu që, nëse mund të jesh ndër ata që e përmendin Allahun në atë orë, bëje."
Transmetojnë Ebu Davudi, Tirmidhiu dhe NesaiuProfeti ﷺ në këtë hadith na tregon se Zoti i Lartësuar është më afër robit në të tretën e fundit të natës. Andaj, nëse të jepet sukses dhe ke mundësi, o besimtar, që të jesh në mesin e atyre që e adhurojnë, falen, përmendin Allahun dhe pendohen në këtë kohë, atëherë kjo është diçka që duhet ta shfytëzosh dhe të derdhësh mund për të.
Theubani (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Dinari (monedhë e artë) më i mirë që e shpenzon njeriu është dinari të cilin e shpenzon për familjen e vet, pastaj dinari që e shpenzon për kafshën e vet në rrugën e Allahut dhe dinari të cilin e shpenzon për shokët e vet në rrugën e Allahut.” Ebu Kilabe ka thënë: "(Pejgamberi)Filloi me familjen." Pastaj Ebu Kilabe tha: "Cili njeri ka shpërblim më të madh sesa ai i cili shpenzon për fëmijët e tij të vegjël, ua ruan nderin, ose Allahu u sjell dobi atyre nëpërmjet tij dhe ua plotëson nevojat."
Transmeton MuslimiProfeti ﷺ në këtë hadith ka përmendur disa variante të shpenzimeve dhe i ka renditur ato, kur janë të shumta, sipas variantit më të detyrueshëm, duke përmendur në fillim variantin më të rëndësishëm. Ai tregoi se pasuria më e shpërblyeshme është ajo që një musliman e shpenzon për dikë që është i detyruar të shpenzojë për të, si: gruaja dhe fëmijët e tij. Me pas pasuria që shpenzon për mjetin e udhëtimit, që e ka përgatitur për luftë në rrugë të Allahut. Më pas pasuria që shpenzon për shokët dhe shoqërinë e tij, kur ata kanë dalë për të luftuar në rrugë të Allahut.