





























Hadeeth Cards
Da'wa cards that highlight great meanings from the noble prophetic hadiths in a simple style and attractive display that helps the Muslim to have a deeper understanding of his religion in an easy way
All
Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të dy!) transmeton se Profeti ﷺ ka thënë: “Ndaj dy mirësive shumica e njerëzve janë të shkujdesur: Ndaj shëndetit dhe kohës së lirë.”
Transmeton BuhariuProfeti ﷺ ka treguar për dy begati të mëdha, që Allahu ia dhuron njeriut, në të cilat shumë njerëz pësojnë humbje, ngase i përdorin ato në mënyrë të gabuar. Kur njeriu është i begatuar me shëndet dhe kohë të lirë, por e kaplon dembelia për adhurim, atëherë ai është prej të humburve; e kjo është gjendja e shumicës së njerëzve. Por, nëse njeriu e shfrytëzon kohën e tij të lirë dhe shëndetin në adhurim ndaj Allahut, atëherë ai është fitimtar, sepse kjo botë është vendi i mbjelljes për botën tjetër, dhe në të zhvillohet tregtia, fitimi i së cilës do të shfaqet në botën tjetër. Pas kohës së lirë vjen angazhimi, dhe pas shëndetit vjen sëmundja, e nëse nuk do të kishte asgjë tjetër për t’u kujtuar, do të mjaftonte pleqëria si këshillë.
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ në sexhde thoshte: “O Allah, m'i fal të gjitha mëkatet: të vogla e të mëdha, të kaluara e të ardhme, të bëra haptas dhe ato fshehtas!”
Transmeton MuslimiProfeti ﷺ e bënte këtë lutje gjatë sexhdes së tij: “O Allah, m'i fal të gjitha mëkatet", duke i fshehur ato, dhe më mbro nga pasojat e tyre përmes faljes, neglizhencës dhe mëshirës. "të gjitha", d.m.th.: ato që janë "të vogla", pra të pakta dhe të lehta, "e të mëdha", të shumta dhe të rënda; mëkate "të kaluara e të ardhme", dhe ato që janë në mes tyre; "të bëra haptas dhe ato fshehtas!”, të cilat nuk i di askush tjetër përveç Teje, o Ti i Lartësuar.
Ebu Derdai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Ata që mallkojnë shumë, nuk do të jenë as dëshmitarë e as ndërmjetësues në Ditën e Kiametit.”
Transmeton MuslimiProfeti ﷺ në këtë hadith ka treguar se kush mallkon shpesh dhe padrejtësisht të tjerët, meriton dy ndëshkime: E para: Ai nuk do të jetë dëshmitar në Ditën e Gjykimit për popujt të cilëve u janë dërguar shpalljet hyjnore, përmes të dërguarve të tyre; dëshmia e tij nuk pranohet as në këtë botë për shkak të mëkatit dhe mosbindjes së tij të qëllimshme; dhe nuk do t’i jepet grada e shehidit - vdekja në rrugë të Allahut. E dyta: Ai nuk do të mund të bëjë ndërmjetësim (shefat) në Ditën e Gjykimit kur besimtarët do të ndërmjetësojnë për vëllezërit e tyre që kanë merituar Zjarrin.
Selmani (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Vërtet Zoti juaj është i Turpshëm dhe Bujar. Ai turpërohet nga robi i Tij që ky t’i ngrejë duart dhe Ai ta kthejë pa asgjë.”
Transmetojnë Ebu Davudi, Tirmidhiu dhe Ibn MaxheProfeti ﷺ në këtë hadith ka inkurajuar ngritjen e duarve gjatë lutjes dhe ka treguar se Allahu i Lartësuar është i Turpshëm, pra zotëron një turp të madh dhe nuk e pengon dhënien. Ai vepron për robin e Tij atë që e gëzon dhe e largon prej tij atë që i sjell dëm. Është Bujar, Ai jep pa iu kërkuar, e çfarë të thuhet pastaj kur i kërkohet?! Ai turpërohet nga robi i Tij besimtar ta kthejë duart e ngritura në lutje pa përgjigje dhe të zhgënjyer.
Xhuvejria, nëna e besimtarëve (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Profeti ﷺ doli prej shtëpisë së saj herët në mëngjes, pasi e kishte falur sabahun, ndërsa ajo po rrinte aty ku ishte falur. Dikur, gjatë paradites, ai u kthye dhe e gjeti atë ulur, andaj i tha: “Ende qenke ashtu si të lashë?” Ajo iu përgjigj: “Po.” Atëherë Profeti ﷺ i tha: “Pasi jam ndarë prej teje, i kam thënë tri herë katër fjalë, të cilat, sikur të peshoheshin me ato që ke thënë ti sot, do të vinin më të rënda (ato janë): “Subhanallahi ve bihamdihi, adede halkihi, ve rida nefsihi, ve zinete arshihi ve midade kelimatihi (I lartësuar dhe i lëvduar qoftë Allahu, aq sa është numri i krijesave të Tij, aq sa Ai është i kënaqur, aq sa peshon Arshi i Tij dhe aq sa janë të shumta e të pafundme Fjalët e Tij).”
Transmeton MuslimiProfeti ﷺ doli herët në mëngjes nga shtëpia e bashkëshortes së tij Xhuvejrijes, nënës së besimtarëve (Allahu qoftë i kënaqur me të!), pasi e kishte falur namazin e sabahut, ndërkohë që ajo ishte e ulur në vendin e saj ku ishte falur. Pastaj ai u kthye pas mesditës, në kohën e duhasë, ndërsa ajo ende ndodhej në të njëjtin vend. Atëherë ai i tha: A je ende në gjendjen në të cilën të lashë? Ajo u përgjigj: ''Po!'' Profeti ﷺ tha: Pas teje kam thënë katër fjalë, të cilat i kam përsëritur tri herë. Po të krahasoheshin për nga shpërblimi me gjithë atë që ke thënë ti, gjatë gjithë kohës që ke qëndruar ulur, do të peshonin më rëndë se ato. (Subhanallah - i Lartësuar) dhe i pastër nga çdo mangësi është Allahuu (ve bihamdihi - dhe i lavdëruar qoftë). Pra, Atij i takon lavdërimi i bukur, që të ka udhëzuar drejt kësaj, (adede halkihi - aq sa është numri i krijesave të Tij), të cilin nuk mund ta numërojë askush përveç Allahut, (ve rida nefsihi - aq sa Ai është i kënaqur), aq sa e kënaq Atë me ata prej robërve të Tij, me të cilët Ai është i kënaqur; diçka që nuk mund të përfshihet, (ve zinete arshihi - aq sa peshon Arshi i Tij), që është krijesa më e madhe dhe më e rëndë, (ve midade kelimatihi - dhe aq sa janë të shumta e të pafundme Fjalët e Tij). Fjalët e Allahut janë të panumërta dhe të pafundme. Kjo përfshin dhe përmbledh këto tri aspekte, pasi boja e fjalëve të Tij, i Lartësuar qoftë Ai, është e pakufishme në shtrirje, përshkrim dhe numër. Megjithatë, qëllimi këtu është të theksohet bollëku i madh. Fillimisht përmendet një masë e numërueshme: numri i krijesave të Tij. Pastaj kalon në diçka edhe më të madhe, e shprehur si “Kënaqësia e Tij”. Më pas, përmendet pesha e krijesës më të madhe, Arshi (Froni hyjnor). E para lidhet me numrin dhe sasinë, e dyta me përshkrimin dhe cilësinë, ndërsa e treta me madhështinë dhe peshën.
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Profeti ﷺ ka thënë: “Asnjë popull nuk ulet në ndonjë tubim ku nuk e përmendin Allahun dhe nuk dërgojnë salavate për Profetin e tyre, përveçse ai tubim do të jetë shkak pendimi për ta. Nëse do, Allahu i ndëshkon, e nëse do, i fal.”
رواه أبو داود والترمذي والنسائي في الكبرىProfeti ﷺ në këtë hadith paralajmëroi kundër shkujdesjes ndaj përmendjes së Allahut (dhikrit), duke thënë se asnjë grup njerëzish nuk ulet në ndonjë tubim ku nuk e përmendin Allahun e Lartësuar dhe nuk dërgojnë salavate për Profetin e Tij ﷺ, përveçse ai tubim do të jetë për ta burim pendimi, keqardhjeje, humbjeje dhe mangësie në Ditën e Gjykimit. Nëse Allahu do, i ndëshkon për mëkatet e tyre të shkuara dhe mangësitë e ardhshme, e nëse do, i fal ata nga mirësia dhe mëshira e Tij.
Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Më i dashuri prej jush tek unë dhe më i afërti me mua në kuvend në Ditën e Gjykimit është ai më i moralshmi, kurse më i urryeri prej jush tek unë dhe më i largëti nga unë në kuvend në Ditën e Gjykimit, janë llomotitësit, llafazanët dhe mutefejhikunët. Thanë: "E dimë cilët janë llomotitësit e llafazanët, po mutefejhikunët cilët janë?" Ai u përgjigj: "Mendjemëdhenjtë.”
Transmeton TirmidhiuProfeti ﷺ në këtë hadith ka njoftuar se besimtarët më të dashur tek ai në këtë botë dhe më të afërmit me të në kuvend në Ditën e Gjykimit janë më të moralshmit. Po ashtu, ai ka sqaruar se më të urryerit tek ai në këtë botë dhe më të largëtit nga ai në kuvend në Ditën e Gjykimit janë ata me moralin më të keq, llomotitësit. Ata që flasin shumë dhe pa nevojë, duke devijuar nga e vërteta. Llafazanët, -ata që zgjerohen në të folur për t’u dukur elokuentë dhe për ta madhëruar fjalën e tyre, pa kujdes dhe pa përmbajtje dhe mutefejhikunët. Ata thanë: "E dimë cilët janë llomotitësit e llafazanët, po mutefejhikunët cilët janë?" Ai u përgjigj: “Janë mendjemëdhenjtë, të cilët i përqeshin të tjerët, e zgjerojnë të folurin dhe ‘hapin gojën’ me të.”
Abdullah ibn Amër ibn Asi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ka shpëtuar ai që është bërë musliman, është furnizuar mjaftueshëm dhe Allahu e ka bërë të kënaqur me atë që i ka dhënë.”
Transmeton MuslimiProfeti ﷺ në këtë hadith sqaroi se ai që i dorëzohet Zotit të tij, udhëzohet dhe drejtohet në Islam, dhe furnizohet me aq sa i mjafton prej riskut hallall për të përmbushur nevojat e tij, pa tepri dhe pa mangësi, dhe Allahu e bën të kënaqur e të pajtuar me atë që i ka dhënë, ai vërtet ka arritur suksesin dhe ka fituar.
Ubejdullah ibn Mihsan Ensari (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Cilido prej jush që zgjohet në mëngjes i shëndetshëm në trupin e tij, i sigurt në shtëpinë e tij dhe ka ushqimin e ditës së tij, është sikur t’i jetë dhënë e gjithë bota.”
Transmetojnë Tirmidhiu dhe Ibn MaxheProfeti ﷺ njoftoi se kushdo prej jush, o muslimanë, që zgjohet në mëngjes i shëndetshëm në trup, i ruajtur nga sëmundjet dhe lëndimet, i sigurt për veten, familjen, ata që i ka nën pronësi dhe rrugën e tij, pa pasur frikë, dhe ka furnizimin hallall të mjaftueshëm për atë ditë, është sikur t’i jetë mbledhur e gjithë bota.