





























Hadeeth Cards
Da'wa cards that highlight great meanings from the noble prophetic hadiths in a simple style and attractive display that helps the Muslim to have a deeper understanding of his religion in an easy way
All
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Profeti ﷺ kur gdhihej thoshte: "All-llahumme bike asbahna ue bike emsejna ue bike nahja ue bike nemutu ue ilejken-nushur - O Allah, me emrin Tënd e arrijmë mëngjesin dhe me emrin Tënd e arrijmë mbrëmjen, me emrin Tënd ngjallemi dhe me emrin Tënd vdesim dhe tek Ti është ringjallja." Ndërsa kur ngrysej thoshte: "All-llahumme bike emsejna ue bike asbahna ue bike nahja ue bike nemutu ue ilejken-nushur - O Allah, me emrin Tënd e arrijmë mbrëmjen dhe me emrin Tënd e arrijmë mëngjesin, me emrin Tënd ngjallemi dhe me emrin Tënd vdesim dhe tek Ti është kthimi." E një herë tjerë ka thënë: "... ue ilejke el mesir - dhe tek Ti është kthimi."
رواه أبو داود والترمذي والنسائي في الكبرى وابن ماجهKur gdhihej, respektivisht kur hynte fillimi i ditës me lindjen e agimit (ar. fexhr), i Dërguari i Allahut ﷺ thoshte: "O Allah, me emrin Tënd e arrijmë mëngjesin", të mbështjellë me ruajtjen Tënde, të mbuluar nga mirësia Jote, të angazhuar me përmendjen Tënde, duke kërkuar ndihmën përmes emrit Tënd, të përfshirë në udhëzimin Tënd dhe duke vepruar me fuqinë dhe mundësinë Tënde. "... dhe me emrin Tënd e arrijmë mbrëmjen, me emrin Tënd ngjallemi dhe me emrin Tënd vdesim..." njëjtë siç u përmend më parë, por në mbrëmje të thotë: "O Allah, me emrin Tënd e arrijmë mbrëmjen, me emrin Tënd, Jetëdhënësi, jetojmë dhe me emrin Tënd, Jetëmarrësi, vdesim." ... dhe tek Ti është ringjallja", domethënë kthimi pas vdekjes dhe shpërndarja pas bashkimit. Gjendja jonë vazhdon në këtë mënyrë në të gjitha kohët dhe rrethanat, pa u shkëputur dhe pa e braktisur atë. Kur e zinte mbrëmja, që i bie nga pas ikindisë, thoshte: "O Allah, me emrin Tënd e arrijmë mbrëmjen dhe me emrin Tënd e arrijmë mëngjesin, me emrin Tënd ngjallemi dhe me emrin Tënd vdesim dhe tek Ti është kthimi." Domethënë, kthimi ynë në këtë botë dhe rikthimi ynë në botën tjetër janë tek Ti, sepse Ti je Ai që më jep jetë dhe më bën të vdes.
Nga Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) përcillet se ka thënë: "Lutja më e shumtë e Pejgamberit (paqja qoftë mbi të!) ishte: 'O Allah, jepna në këtë jetë mirësi dhe në jetën tjetër mirësi dhe na ruaj nga dënimi i zjarrit!'"
Muttefek alejhiPejgamberi (paqja qoftë mbi të!) shpesh lutej me dua gjithëpërfshirëse, si: "O Allah, jepna mirësi në këtë jetë dhe mirësi në jetën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i zjarrit!" Kjo lutje përmban mirësitë e kësaj jete, si: jetesë të lehtë, të bollshme dhe të ligjshme, bashkëshorte të devotshme, fëmijë të mbarë, qetësi, dije të dobishme, punë të mira dhe kërkesa të tjera si këto që u përmendën, të mira dhe të ligjshme. Ajo përmban gjithashtu mirësitë e jetës tjetër, si: shpëtimi nga dënimi i varrit, nga dënimi i Ditës së Llogarisë dhe nga dënimi i Zjarrit. Si dhe fitimi i kënaqësisë së Allahut, fitimi i begative të amshueshme dhe të qenët pranë Zotit të Mëshirshëm.
Nga Sheddad ibën Eusi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) përcillet se Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: "Zotëria i istigfarit është të thuash: O Allah, Ti je Zoti im, nuk ka të adhuruar tjetër përveç Teje. Ti më ke krijuar dhe unë jam robi yt, do të qëndroj besnik në marrëveshjen dhe premtimin Tënd, sa të kem mundësi. Kërkoj mbrojtjen Tënde nga e keqja që kam vepruar. Unë jam mirënjohës për dhuntitë e Tua, i pranoj mëkatet e mia, falmë mua, sepse nuk i fal mëkatet askush tjetër përveç Teje.'' Kush e thotë këtë gjatë ditës, duke qenë i bindur në të dhe vdes atë ditë para se të ngryset, ai do të jetë prej banorëve të Xhenetit. E kush e thotë këtë natën, duke qenë i bindur në të dhe vdes para se të gdhijë, ai do të jetë prej banorëve të Xhenetit".
Transmeton BuhariuPejgamberi (paqja qoftë mbi të!) na njofton se istigfari (pendimi) ka versione të ndryshme dhe se versioni më i mirë dhe më madhështor është që njeriu të thotë: "O Allah, Ti je Zoti im, nuk ka të adhuruar tjetër përveç Teje. Ti më ke krijuar dhe unë jam robi yt, do të qëndroj besnik në marrëveshjen dhe premtimin Tënd, sa të kem mundësi. Kërkoj mbrojtjen Tënde nga e keqja që e kam vepruar. Unë jam mirënjohës për dhuntitë e Tua, i pranoj mëkatet e mia, falmë mua, sepse nuk i fal mëkatet askush tjetër përveç Teje'' Kësisoj, së pari njeriu pohon njëshmërinë e Allahut të Madhëruar dhe se Allahu është krijuesi i tij dhe i adhuruari i tij pa asnjë ortak. Dhe se ai i përmbahet besëlidhjes së tij me Allahun në lidhje me besimin dhe adhurimin e Tij, sa të ketë mundësi. Sepse sado adhurime të kryejë njeriu, ai nuk mundet t'i kryejë të gjitha adhurimet për të cilat e ka urdhëruar Allahu dhe as ta falënderojë siç duhet Allahun për dhuntitë që i ka falur. Dhe se ai duhet të strehohet tek Allahu dhe të kërkojë mbrojtjen e Tij, ngase vetëm Ai e mbron njeriun nga e keqja që ka bërë. I pohon dhuntitë që Ai ia ka falur me dëshirë dhe i pranon mëkatet dhe gabimet që ka bërë duke fajësuar veten e tij. Pas këtij përgjërimi, ai i lutet Allahut që ta falë, duke ia mbuluar mëkatet dhe duke e shpëtuar atë nga e keqja e tyre me faljen, mirësinë dhe mëshirën e Tij, ngase vetëm Ai i fal mëkatet. Mandej, Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) na njofton se këto fjalë bëjnë pjesë te dhikri i mëngjesit dhe i mbrëmjes. Kësisoj, ai që i thotë këto fjalë me bindje, besim dhe meditim mbi domethënien e tyre, në fillim të ditës, që është nga koha e lindjes së diellit e deri në perëndimin e tij, dhe vdes, hyn në Xhenet. E ai që i thotë ato natën, që është nga koha e perëndimit të diellit e deri kur të agojë, nëse vdes para se të agojë, hyn në Xhenet.
Nga Xhabir ibën Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të dy!) përcillet se Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: "Ruhuni nga padrejtësia, sepse padrejtësia është errësirë në Ditën e Gjykimit. Ruhuni nga koprracia, sepse koprracia i shkatërroi ata që ishin para jush. I shtyu që të derdhin gjakun e njëri-tjetrit dhe të përligjin uzurpimin e të drejtave të njëri-tjetrit."
Transmeton MuslimiPejgamberi (paqja qoftë mbi të!) ka paralajmëruar nga padrejtësia. Ndër format e padrejtësisë janë: padrejtësia ndaj njerëzve, padrejtësia ndaj vetes dhe padrejtësia kundrejt detyrimeve që njeriu ka ndaj Allahut të Madhëruar. Përkufizimi i padrejtësisë është: të mos i japësh tjetrit të drejtën që i takon. Padrejtësia do të jetë errësirë në Ditën e Gjykimit ndaj atyre që kanë bërë padrejtësi, duke krijuar vështirësi dhe frikë për ta. Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) ndaloi gjithashtu nga koprracia, e cila do të thotë të jesh shumë dorështrënguar dhe lakmitar i madh. Pjesë e koprracisë është dhe shkujdesja ndaj detyrimeve monetare dhe lakmia e madhe për të mirat materiale. Pikërisht kjo formë e padrejtësisë i shkatërroi popujt që jetuan para nesh, duke i shtyrë ata të vrisnin njëri-tjetrin dhe të përligjnin gjërat që Allahu i pati ndaluar.
Nga Abdullah ibën Amri (Allahu qoftë i kënaqur me të dy!) përcillet se një burrë e pyeti Pejgamberin (paqja qoftë mbi të!): "Cila cilësi e Islamit është më e mira?" Ai u përgjigj: "Të japësh ushqim dhe të përshëndesësh me selam ata që i njeh dhe ata që nuk i njeh."
Muttefek alejhiPejgamberi (paqja qoftë mbi të!) u pyet se cila nga cilësitë e Islamit është më e mira dhe ai përmendi dy cilësi. E para: Dhënia ushqim të varfërve sa më shumë. Këtu bën pjesë lëmosha, dhurata, mikëpritja dhe gostia. Vlera e dhënies së ushqimit rritet në kohën e urisë dhe ngritjes së çmimeve. E dyta: Përshëndetja me selam ndaj çdo muslimani që e njeh apo që nuk e njeh.
Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ më ka thënë: “Thuaj: 'O Allah, më udhëzo dhe më bëj të saktë! Me udhëzim, ke për qëllim udhëzimin tënd në rrugën e drejtë, ndërsa me saktësi, saktësinë në të qëlluar me shigjetë!”
Transmeton MuslimiProfeti ﷺ e urdhëroi Ali ibn Ebu Talibin (Allahu qoftë i kënaqur me të!) që t’i lutet Allahut dhe t’i kërkojë, duke thënë: "O Allah, më udhëzo" dhe më drejto, e më përudh, "...dhe më bëj të saktë", e më jep sukses dhe më bëj të qëndrueshëm në të gjitha çështjet e mia. Pra, udhëzimi (ar. el huda) është njohja e së vërtetës në detaje dhe në mënyrë të përgjithshme, si dhe suksesi për ta ndjekur atë si në dukje ashtu edhe në brendësi. Ndërsa saktësia (ar. es sedad) është suksesi dhe qëndrueshmëria në të gjitha çështjet, duke qenë në përputhje me të vërtetën. Ajo përfaqëson rrugën e drejtë në fjalë, vepra dhe në bindje. Meqë çështjet shpirtërore bëhen më të qarta përmes shembujve të ndjeshëm, kujto kur e thua këtë lutje se: "udhëzimi është si orientimi në rrugë". Sille në zemrën tënde ndërsa kërkon udhëzim, duke e imagjinuar orientimin e një udhëtari, i cili nuk devijon as djathtas as majtas nga rruga. Kjo, në mënyrë që të shpëtojë nga humbja, të jetë i sigurt dhe të arrijë qëllimin e tij shpejt. Me shprehjen "es Sedad" (saktësi) nënkuptohet saktësia e shigjetës. Ti e vëren se kur e drejton shigjetën, ajo arrin shpejt dhe e godet cakun. Harkëtari, kur qëllon një cak, e drejton shigjetën me saktësi drejt tij. Në të njëjtën mënyrë, kur i lutesh Allahut të Lartësuar për saktësi, kërkon që ajo që synon, të jetë e përkryer, sikur një shigjetë që arrin cakun. Pra, në lutjen tënde, ti je një kërkues i udhëzimit të plotë dhe i saktësisë absolute. Prandaj, sill këtë kuptim në zemrën tënde kur i lutesh Allahut për saktësi, në mënyrë që ajo që synon të përputhet me atë që përdor gjatë qëllimit me shigjetë.
Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të) tregon se Fatimja u ankua për dhimbjen e dorës nga mulliri dhe mori vesh se Profetit ﷺ i kishin sjellë një rob. Kështu, ajo shkoi t'i kërkonte një shërbëtor, por, pasi nuk e gjeti aty, ia përmendi Aishes. Kur Profeti ﷺ u kthye, Aishja ia përmendi. Pastaj Profeti ﷺ erdhi te ne, ndërkohë që ishim shtrirë për të fjetur. Ne deshëm të çohemi, po ai na tha: “Qëndroni aty ku jeni.” Ai u afrua dhe u ul mes meje e saj, saqë ndjeva të ftohtët e këmbëve të tij në barkun tim dhe na tha: “A doni t'ju mësoj diçka më të mirë se ajo që më keni kërkuar? Kur të shtriheni për të fjetur, bëni tesbih (thoni: Subhanallah) tridhjetë e tri herë, falënderoni (thoni: Elhamdulilah) tridhjetë e tri herë dhe bëni tekbir (thoni: Allahu ekber) tridhjetë e katër herë. Kjo është më mirë për ju sesa një shërbëtor.”
Muttefek alejhiFatimja, e bija e Profetit ﷺ, iu ankua atij për dhimbjen që ndiente nga përdorimi i mjeteve të bluarjes nga ajo që bluante. Kur Profetit ﷺ i sollën një rob, ajo shkoi për t'i kërkuar atij një shërbëtor që ta ndihmonte në punët e shtëpisë. Por, ajo nuk e gjeti Profetin ﷺ në shtëpi, por ja që e takoi Aishen (Allahu qoftë i kënaqur me të!) dhe i tregoi asaj për situatën e saj. Kur erdhi Profeti ﷺ, Aishja i tregoi atij për ardhjen e Fatimes, e cila po i kërkonte një shërbëtor. Atëherë Profeti shkoi ﷺ te Fatimja dhe Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të dytë!) në shtëpinë e tyre, ndërsa ata ishin në shtrat duke u përgatitur për të fjetur. Ai u ul në mes të tyre, saqë Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të)! e ndjeu ftohtësinë e këmbëve të Profetit ﷺ në barkun e tij dhe na tha: A t'ju tregoj diçka më të mirë sesa ajo që më kërkuat për t'ju dhënë një shërbëtor? Ata të dy thanë: "Gjithsesi." Kështu, Profeti ﷺ u tha: Kur të shkoni për të fjetur në gjumin e natës, bëni tesbih (thoni: Subhanallah) tridhjetë e tri herë, bëni tahmid (thoni: Elhamdulilah) tridhjetë e tri herë, dhe bëni tekbir (thoni: Allahu ekber) tridhjetë e katër herë. Ky dhikër është më i mirë për ju sesa një shërbëtor.
Nga Abdullah ibën Hubejbi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) përcillet se ka thënë: "Një natë me shi dhe me erë të fortë, dolëm të kërkonim Pejgamberin (paqja qoftë mbi të!) që të na falte namazin. Kur e gjeta, më tha: 'Thuaj!' Por unë nuk thashë asgjë. Përsëri tha: 'Thuaj!' Por unë nuk thashë asgjë. Ai përsëri tha: 'Thuaj!' Kësaj here unë i thashë: 'Çfarë të them?' Ai tha: 'Kul huvallahu ehad dhe dy Mbrojtëset (Feleku dhe Nasi) në mëngjes dhe në mbrëmje nga tri herë, të mjaftojnë për çdo gjë".
Transmetojnë Ebu Davudi, Tirmidhiu dhe NesaiuSahabiu i madh Abdullah ibën Hubejbi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se ata dolën një natë në të cilën binte shi me rrebesh dhe frynte një erë e fortë për të kërkuar Pejgamberin (paqja qoftë mbi të!) që t'u falte namazin dhe kur e gjetën, Pejgamberi i tha atij: "Thuaj!" d.m.th. këndo! Por, ai nuk këndoi asgjë. Kur Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) i përsëriti fjalët, Abdullahu i tha: "Çfarë të këndoj, o Pejgamber i Allahut?" Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) i tha që të këndonte suren El-Ihlas, suret El-Felek dhe En-Nas në mbrëmje dhe në mëngjes nga tri herë, ngase ato të mbrojnë nga çdo e keqe dhe nga çdo ligësi.
Eban ibën Othmani transmeton se e ka dëgjuar Othman ibën Afanin (Allahu qoftë i kënaqur me të!) duke thënë: "E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ të thotë: "Atë që thotë: 'Bismil-lahi el-ledhi la jedurru measmihi shejun filardi ua la fis-semai ue huves-semiul alim, - Me emrin e Allahut, me të cilin asgjë nuk mund të dëmtojë në tokë dhe në qiell, dhe Ai është Gjithëdëgjuesi, i Gjithëdituri", tri herë, nuk do ta godasë ndonjë fatkeqësi e papritur deri në mëngjes. Gjithashtu atë që e thotë këtë në mëngjes tri herë, nuk do ta godasë ndonjë fatkeqësi e papritur deri në mbrëmje." Eban ibën Othmanin e godit paraliza, kësisoj njeriu që e kishte dëgjuar këtë hadith prej tij e shikoi (me habi). Atëherë Ebani i tha: "Pse më shikon ashtu? Pasha Allahun, nuk kam gënjyer për Othmanin dhe as Othmani nuk ka gënjyer për Profetin ﷺ, por ditën kur më goditi kjo që më goditi, isha i zemëruar dhe e harrova ta thosha këtë lutje."
Transmetojnë Ebu Davudi, Tirmidhiu, Nesaiu në “Es-Sunen el-kubra”, Ibn Maxhe dhe AhmediProfeti ﷺ ka sqaruar se kush thotë çdo mëngjes pas lindjes së agimit dhe çdo mbrëmje para perëndimit të diellit, tri herë: "Bismil-lah, - Me emrin e Allahut'' kërkoj ndihmë dhe mbrohem nga çdo gjë që mund të dëmtojë. " me të cilin asgjë nuk mund të dëmtojë", pra, kur të përmendet emri i Tij asgjë nuk mund të të dëmtojë, sado e madhe qoftë ajo "në tokë" apo që del jashtë saj nga fatkeqësitë, qoftë "në qiell", apo nga fatkeqësitë që zbresin prej tij. "Ai është Gjithëdëgjuesi" i fjalëve tona dhe "i Gjithëdituri" për gjendjen tonë (të tillin nuk e godet gjë). Atë që e thotë këtë lutje në mbrëmje, nuk do ta godasë fatkeqësia papritur deri në mëngjes, sikurse atë që e thotë atë në mëngjes, nuk do ta godasë fatkeqësia papritur deri në mbrëmje. Transmetuesi i hadithit, Eban ibn Othmani u godit nga paraliza (në njërën anë të trupit). Njeriu që e kishte dëgjuar hadithin prej tij e shikonte me habi! Atëherë Ebani i tha: "Pse më shikon kështu?! Pasha Allahun, unë nuk kam gënjyer për Othmanin dhe as Othmani nuk ka gënjyer për Profetin ﷺ. Por atë ditë kur më goditi kjo sëmundje, Allahu nuk kishte caktuar që ta thosha këtë lutje. Më kishte kapluar zemërimi dhe e harrova t’i shqiptoja këto fjalë të përmendura (në këtë lutje)."