





























Hadeeth Cards
Da'wa cards that highlight great meanings from the noble prophetic hadiths in a simple style and attractive display that helps the Muslim to have a deeper understanding of his religion in an easy way
All
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: "Nuk ndodh që dikush të më japë selam, veçse Allahu do të ma rikthejë shpirtin, derisa t'ia kthejë selamin."
Transmetojnë Ebu Davudi dhe AhmediProfeti ﷺ në këtë hadith tregon se shpirti i tij i kthehet për t’iu përgjigjur selamit nga kushdo që e përshëndet, qoftë afër apo larg. Jeta e Barzahut (jeta në varreza) është çështje e botës së gajbit (e padukshme), realitetin e së cilës e di vetëm Allahu dhe Ai është i Plotfuqishëm për çdo gjë.
Ebu Hazimi tregon: “E kam shoqëruar Ebu Hurejrën (Allahu qoftë i kënaqur me të!) pesë vjet me radhë dhe e kam dëgjuar të transmetojë se Profeti ﷺ ka thënë: “Në vazhdimësi bijtë e Israilit udhëhiqeshin nga profetët. Sa herë që vdiste një profet, vinte një tjetër. Ndërkaq, pas meje nuk ka më profet, por do të ketë halifë të shumtë.” Të pranishmit i thanë: “E çfarë po na urdhëron të bëjmë?” Ai u tha: “Qëndroni besnikë besës ndaj secilit me radhë dhe respektojini të drejtat e tyre, sepse Allahu do t'i marrë ata në pyetje për gjendjen e atyre që ua ka lënë nën pushtet.”
Muttefek alejhiProfeti ﷺ ka njoftuar se bijtë e Israilit janë udhëhequr nga profetët, të cilët i kanë drejtuar çështjet e tyre ashtu siç i drejtojnë sundimtarët dhe prijësit punët e popullit të tyre. Sa herë që shfaqej prishje në mesin e tyre, Allahu u dërgonte një profet që të ndreqte gjendjen dhe të largonte devijimet që kishin bërë në dispozitat hyjnore. Ai shtoi se pas tij nuk do të ketë më profet që të bëjë atë që ata bënin, por do të ketë halifë, dhe ata do të jenë të shumtë, dhe mes tyre do të ketë përçarje dhe mospajtime. Atëherë shokët e Profetit (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) e pyetën të Dërguarin e Allahut ﷺ: Çfarë na urdhëron të bëjmë në këtë rast? Ai tha: Nëse i jepet besa një halifi pas një halifi tjetër, atëherë besa e dhënë të parit është e vlefshme dhe duhet të respektohet, ndërsa besa e dytë është e pavlefshme dhe është e ndaluar që ai ta kërkojë atë. Jepuni atyre të drejtat që u takojnë, bindjuni atyre dhe jetoni me ta duke i dëgjuar dhe duke iu bindur, përveç në ato çështje që përfshijnë mosbindje ndaj Allahut, sepse Allahu do t’i marrë në llogari për atë që bëjnë ndaj jush.
Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Disa prej shokëve të Profetit ﷺ i pyetën gratë e tij për adhurimin e tij në vetmi, e dikush tha: “Nuk do të martohem.” Dikush tjetër tha: “Nuk do të ha mish.” Një tjetër tha: “Nuk do të fle në shtrat.” Atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ, pasi e falënderoi dhe e lavdëroi Allahun, tha: “Ç'është puna e disave që thanë kështu e ashtu? Unë falem (natën) dhe fle, agjëroj dhe ha, e edhe martohem me gra. Ai që e kundërshton Sunetin tim, nuk është prej meje.”
Muttefek alejhiNjë grup sahabësh (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) erdhën te shtëpitë e grave të Profetit ﷺ duke pyetur për adhurimet e tij të fshehta brenda shtëpisë. Kur u njoftuan për to, iu dukën sikur ishin të pakta, prandaj thanë: Ku jemi ne në krahasim me Profetin ﷺ? Atij i janë falur mëkatet e shkuara dhe të ardhshme, ndryshe nga ne, që nuk e dimë nëse na janë falur apo jo, prandaj kemi nevojë të bëjmë më shumë adhurim me shpresë që ta arrijmë faljen. Atëherë njëri prej tyre tha: "Unë nuk do të martohem me gra." Tjetri tha: "Unë nuk do të ha mish." E i fundit tha: "Unë nuk do të fle në shtrat." Kur kjo i arriti Profetit ﷺ, ai u zemërua dhe mbajti një hutbe para njerëzve. Ai e lavdëroi dhe e madhëroi Allahun dhe tha: "Ç’është me disa njerëz që thonë kështu e ashtu? Pasha Allahun, unë jam ai që më së shumti i frikësohem Atij dhe jam më i devotshmi! Por, unë fle për t’u forcuar për namazin e natës, agjëroj e pastaj jo, për të pasur forcë në agjërim, dhe martohem me gra. Kush largohet nga rruga ime, e sheh përsosmërinë diku tjetër dhe ndjek një udhë që nuk është e imja, ai nuk është prej meje."
Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Sa herë që të Dërguarit të Allahut ﷺ i ofrohej të zgjidhte mes dy gjërave, ai zgjidhte më të lehtën, për sa kohë që nuk konsiderohej mëkat. Në të kundërtën, ishte njeriu që më së shumti distancohej prej mëkatit. Ai asnjëherë nuk është hakmarrë për veten e tij, përveç kur cenohej ndalesa e Allahut, e në atë rast hakmerrej për hir të Allahut.”
Muttefek alejhiNëna e besimtarëve, Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), ka treguar për disa nga sjelljet e Profetit ﷺ, dhe ndër ato që ka përmendur është, se kurdoherë që i jepej mundësia të zgjidhte mes dy çështjeve, Profeti ﷺ zgjidhte atë më të lehtën, përderisa ajo më e lehta nuk nënkuptonte mëkat; por nëse ajo nënkuptonte mëkat, atë herë ai ishte më i largëti nga të gjithë njerëzit prej saj dhe në atë rast e zgjidhte më të vështirën. Profeti ﷺ nuk merrte hak për veten; përkundrazi, toleronte dhe falte për të drejtën e tij, përveç nëse shkeleshin e cenoheshin ndalesat e dispozitat e Allahut, atëherë ai hakmerrej për hir të Allahut, dhe njëherësh ishte ndër ata që zemëroheshin më së shumti për çështjet që kanë të bëjnë me fenë e Allahut të Lartësuar.
Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: "Ai që e lexon Kuranin, duke qenë i përpiktë në leximin e tij, është nën përcjelljen e melekëve shkrues, të nderuar dhe punëmirë, ndërsa ai që e lexon atë duke pasur vështirësi gjatë leximit, i ka dy shpërblime."
Muttefek alejhiProfeti ﷺ ka njoftuar se ai që e reciton Kuranin me memorizim të fortë, saktësi dhe mjeshtëri, do të ketë shpërblimin në Ahiret, duke qenë në pozitën e lartë të melekëve shkrues, të nderuar dhe punëmirë. Ndërsa ai që e lexon Kuranin duke pasur vështirësi gjatë leximit për shkak të memorizimit të dobët, por megjithatë vazhdon të ruajë lidhjen me Kuranin, pavarësisht vështirësisë për të, do të ketë dy shpërblime: një shpërblim për leximin e tij dhe një shpërblim tjetër për vështirësinë dhe përsëritjen gjatë leximit të tij.
Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ai që e di Kuranin përmendsh, shëmbëllen me pronarin e devesë së lidhur: nëse e mban për litari, ajo rri, e, nëse e lëshon, ikën.”
Muttefek alejhiProfeti ﷺ e shëmbëlleu atë që e mëson Kuranin dhe është i rregullt në leximin e tij, qoftë duke e lexuar nga mushafi apo përmendsh, me një njeri që ka deve të lidhura nga gjunjët me litar. Nëse i mban të lidhura, ato mbeten nën kontrollin e tij, por nëse ua zgjidh lidhëset, ato ikin dhe largohen. Po kështu, shoqëruesi, hafizi i Kuranit, për sa kohë që e lexon, e mban mend atë, ndërsa nëse e lë pas dore, e harron. Sa kohë që lidhja me të ruhet vazhdimisht, edhe memorizimi mbetet i qëndrueshëm.
Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një burrë dëgjoi një person duke e përsëritur disa herë leximin e sures Ihlas (në namaz). Në mëngjes, vajti tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe i tregoi, duke aluduar në shkurtësinë e saj. I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Pasha Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, ajo vlen sa një e treta e Kuranit.”
Transmeton BuhariuEbu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) përmendi se një njeri dëgjoi një tjetër duke e lexuar suren Ihlas vazhdimisht gjatë gjithë natës, pa shtuar asgjë tjetër. Të nesërmen, ai shkoi tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe ia përmendi këtë. Pyetësi, sikur e konsideronte se nuk ishte mjaftueshëm. Atëherë, Profeti ﷺ u betua për të konfirmuar: “Pasha Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, ajo vlen sa një e treta e Kuranit.”
Nga Abdullah ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmetohet se lidhur me fjalën e Allahut të Lartmadhëruar: "Dhe kush synon në të devijim me padrejtësi, Ne do ta bëjmë të shijojë një dënim të dhembshëm." (El Haxh, 25), ka thënë: “Nëse një njeri do të synonte të bënte devijim në të, ndërsa ndodhet në Aden të Ebjenit (qytet në Jemen), Allahu do ta bënte të shijonte një dënim të dhembshëm.”
رواه أحمد والحاكمAbdullah ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) lidhur me fjalën e Allahut të Lartmadhëruar: "Dhe kush synon në të devijim me padrejtësi, Ne do ta bëjmë të shijojë një dënim të dhembshëm." (El Haxh, 25), ka thënë: "Nëse dikush synon dhe vendos të kryejë një vepër të keqe në Haremin e shenjtë të Mekës: duke cenuar shenjtërinë e tij me fjalë ose me vrasje të qëllimshme, që Allahu e ka ndaluar, kjo konsiderohet padrejtësi. Edhe nëse ky qëllim dhe vendosmëri ndodh ndërsa ai gjendet në qytetin Aden të Jemenit, ai meriton dënimin e dhembshëm të Allahut për këtë, edhe nëse nuk e zbaton atë. Mjafton që e ka vendosur në zemër.
Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur zbritën ajetet: “Ne, ta dhamë ty fitoren e qartë, për t'i falur ty Allahu gabimet..." e deri tek ajeti: "... e kjo tek Allahu është fitore e madhe.” (Fet'h, 1-5) Kjo ndodhi gjatë kthimit nga Hudejbija, ndërkohë na kishte kapluar mërzia e dëshpërimi. Ndërkaq, pasi Profeti ﷺ e theri kurbanin në Hudejbije, na tha: “Më ka zbritur një ajet që është më i dashur për mua se gjithë dynjaja.”
Transmeton MuslimiEnes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të) tregoi se, kur të Dërguarit të Allahut ﷺ, duke u kthyer nga Hudejbija, iu shpallën ajetet: “Ne, ta dhamë ty fitoren e qartë, për t'i falur ty Allahu gabimet e mëparshme dhe të ardhshme, për ta plotësuar dhuntinë e Vet ndaj teje dhe për të të udhëzuar ty në rrugën e drejtë, dhe që Allahu të të ndihmojë me ndihmë të madhe. Ai është që sjell qetësi në zemrat e besimtarëve për t'ua shtuar besimin, krahas besimit që kanë, e, të Allahut janë ushtritë e qiejve dhe të Tokës; Allahu është i Plotëdijshëm dhe i Gjithëdijshëm, për t'i çuar besimtarët dhe besimtaret në kopshte nëpër të cilat rrjedhin lumenjtë, ku do të qëndrojnë përherë, dhe që t'ju falë mëkatet e tyre; e kjo tek Allahu është fitore e madhe.” (El Fet'h, 1-5) Shokët e tij ishin pushtuar nga trishtimi dhe dëshpërimi, sepse ishin penguar ta kryenin Umren, për shkak të kushteve të marrëveshjes, të cilat ata mendonin se nuk ishin në dobi të muslimanëve, dhe i kishin therur kurbanët e tyre në Hudejbije. Profeti ﷺ tha: “Më ka zbritur një ajet që është më i dashur për mua se gjithë dynjaja.” E pastaj e lexoi.