





























Hadeeth Cards
Da'wa cards that highlight great meanings from the noble prophetic hadiths in a simple style and attractive display that helps the Muslim to have a deeper understanding of his religion in an easy way
All
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: "Namazi më i rëndë për hipokritët është namazi i jacisë dhe i sabahut. Sikur ta dinin se çfarë (shpërblimi) ka në to, do të vinin, qoftë dhe zvarrë. Më ka shkuar mendja të urdhëroj (myezinin) ta thërrasë ikametin për namaz, pastaj të lë dikë që t'ua falë njerëzve namazin e unë të shkoj me disa burra, që me vete të marrin turra drush e t'ua mësyjmë atyre që nuk vijnë për namaz e t'ua fus zjarrin shtëpive të tyre."
Muttefek alejhiProfeti ﷺ lajmëron në këtë hadith për hipokritët dhe përtacinë e tyre në raport me pjesëmarrjen në namaz, veçanërisht në namazin e jacisë dhe sabahut. E, sikur ta dinin vlerën e shpërblimit për pjesëmarrjen e tyre me xhematin e muslimanëve, do të vinin, qoftë dhe zvarrë, ashtu siç zvarritet fëmija me duar dhe gjunjë. Profeti ﷺ deshi të urdhërojë që të falet namazi dhe të caktojë një njeri që t'u prijë njerëzve në vend të tij, pastaj të shkojë me disa burra, që do të marrin me vete turra drush, për te njerëzit që nuk marrin pjesë në namazin me xhemat dhe t'ua djegë me zjarr shtëpitë e tyre. Kjo, për shkak të mëkatit të rëndë që bënë, - por ai nuk e bëri këtë gjë, - për shkak të grave dhe fëmijëve të pafajshëm e të tjerëve që janë të arsyetuar (për mospjesëmarrje në xhami) dhe nuk kanë kurrfarë mëkati.
Abdullah ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: "E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: "Njerëzit më të këqij janë ata që do t'i arrijë Kiameti të gjallë dhe ata që i marrin varret si vendfalje."
Transmeton AhmediProfeti ﷺ në këtë hadith tregon për njerëzit më të këqij, që janë ata të cilët do t'i arrijë Kiameti të gjallë dhe ata që i marrin varret si vendfalje: falen në to dhe në drejtim të tyre.
Mahmud ibën Lebidi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Vërtet gjëja që kam më shumë frikë për ju është shirku i vogël.” Të pranishmit i thanë: “Çfarë është shirku i vogël, o i Dërguari i Allahut?" Profeti ﷺ tha: “Syefaqësia. Allahu i Lartmadhëruar do t'u thotë atyre në Ditën e Kiametit, kur njerëzit do të shpërblehen për veprat e tyre: "Shkoni tek ata për të cilët bënit syefaqësi në këtë botë dhe shihni se a do të gjeni ndonjë shpërblim tek ata!"
Transmeton AhmediProfeti ﷺ në këtë hadith na tregon se gjëja që frikësohet më shumë për umetin e tij është shirku i vogël, respektivisht syefaqësia: që të veprojë për shkak të njerëzve. Pastaj tregoi për dënimin e atyre që bëjnë syefaqësi në Ditën e Kiametit, se do t'u thuhet: "Shkoni tek ata për të cilët keni vepruar dhe shihni nëse ata kanë fuqi t'ju shpërblejnë dhe t'ju japin shpërblim për veprat që i keni bërë?!"
Adij ibn Hatimi tregon: “E dëgjova njëherë Profetin ﷺ të lexonte këtë ajet: “Ata i bënë rabinët dhe murgjit e tyre si zota në vend të Allahut, si dhe Mesihun, birin e Merjemes, ndërkohë që janë urdhëruar të adhurojnë vetëm një Hyjni, përveç të Cilit nuk ka tjetër që meriton të adhurohet. I lartësuar qoftë Ai mbi gjithçka që ia shoqërojnë!” (Et Teube, 31) Unë i thashë: “Ne nuk i adhuronim ata!” Profeti ﷺ tha: “A nuk e bënin ata haram atë që e kishte lejuar Allahu, edhe ju, pas tyre e bënit haram? A nuk jua bënin të lejuar atë që Allahu kishte bërë haram, dhe ju gjithashtu e bënit të lejuar?” Iu përgjigja: “Gjithsesi.” Ai tha: “Ky ishte adhurimi që ju ua bënit atyre.”
E shënon TirmidhiuKur ky sahab i nderuar dëgjoi recitimin e këtij ajeti nga Profeti ﷺ, në të cilin ka njoftim për hebrenjtë dhe të krishterët, se ata i konsideruan dijetarët dhe adhuruesit e tyre zota për ta, gjë që ligjësuan për ta atë që bie në kundërshtim me ligjin e Allahut, kësisoj ata u bindeshin në të, kështu që kuptimi i adhurimit u ngatërrua, sepse ai mendonte se adhurimi kufizohet në sexhde dhe të ngjashme. Andaj, Profeti ﷺ ia sqaroi se prej adhurimit të rabinëve dhe murgjve ishte: bindja ndaj tyre në konsiderimin të lejuar të asaj që është haram, si dhe konsiderimin haram të asaj që është e lejuar, që është në kundërshtim me gjykimin e Allahut të Lartësuar dhe të Profetit të Tij ﷺ.
Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: "Kur i Dërguari i Allahut ﷺ e dërgoi Muadh ibn Xhebelin në Jemen, i tha: “Ti po shkon te një popull që janë ithtarë të Librit. Kur të arrish tek ata, thirri të dëshmojnë se askush përveç Allahut nuk meriton të adhurohet dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut. Nëse të binden në këtë, tregoju se Allahu ua ka bërë obligim pesë namaze brenda ditës e natës. Nëse të binden në këtë, tregoju se Allahu ua ka bërë obligim zekatin, që u merret të pasurve e u jepet të varfërve të tyre. E, nëse të binden, kujdes, mos ua merr pasurinë e çmuar! Ruaju lutjes së atij që i bëhet padrejtësi, sepse mes tij dhe Allahut nuk ka perde!”
Muttefek alejhiKur Profeti ﷺ e dërgoi Muadh ibn Xhebelin (Allahu qoftë i kënaqur me të!), në Jemen, - si thirrës për tek Allahu dhe mësues, - ia sqaroi se do të përballej me një grup të krishterësh, që kështu të ishte i gatshëm për ta dhe të fillojë t'i thërrasë ata fillimisht në gjërat më të rëndësishme e kështu me radhë. Pra, së pari i thërret për ta përmirësuar akiden (besimin), që të dëshmojnë se s'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut, sepse me këtë futen në Islam. E, nëse i nënshtrohen kësaj, atëherë urdhërohen ta falin namazin, sepse ai është obligimi më i madh pas teuhidit (monoteizmit). Nëse ata e falin namazin, atëherë i urdhëron të pasurit e tyre që ta japin zekatin e pasurisë së tyre për të varfrit e tyre. Më pas ua tërhoqi vërejtjen që të mos ua merrte pasurinë më të çmuar, sepse obligim është ajo e mesmja. Në fund e këshilloi që të shmangë padrejtësinë, respektivisht që të mos lutet kundër tij ndonjë që i është bërë padrejtësi, sepse lutja e tij pranohet.
Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ është pyetur për prishjen e magjisë (ar. nushrah), e në atë rast ka thënë: "Ajo është prej punës së shejtanit.
E shënon Ebu Davudi - E shënon AhmediProfeti ﷺ është pyetur për trajtimin e atij të cilit i kanë bërë magji në mënyrën që përdorej në epokën paraislame, bie fjala, zgjidhjen e magjisë me magji, se cili është gjykimi për këtë dhe Profeti ﷺ u përgjigj se ajo është punë e shejtanit ose nëpërmjet tij, sepse kjo zgjidhje - prishje (e magjisë) bëhet me lloje magjike dhe përdorime shejtanore, gjë që janë veprime idhujtareske dhe të ndaluara. Sa i përket zgjidhjes - prishjes së lejuar (të magjisë), ajo është duke e deshifruar magjinë me anë të rukjes (leximit të Kuranit e lutjeve fetare) ose kërkimi i saj dhe deshifrimi i saj me dorë duke ia bashkëngjitur leximin e Kuranit ose përdorimin e ilaçeve të lejuara.
Omer ibën Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: "E kam dëgjuar Profetin ﷺ të thotë: “Mos më shenjtëroni siç e kanë shenjtëruar të krishterët të birin e Merjemes. Unë jam rob i Allahut, andaj thoni: "Rob i Allahut dhe i Dërguari i Tij.”
Transmeton BuhariuProfeti ﷺ në këtë hadith e ndaloi teprimin dhe tejkalimin e kufirit fetar në raport me lavdërimin dhe përshkrimin e tij me cilësitë e Allahut të Lartësuar dhe veprimet e Tij të veçanta, ose se ai e di të fshehtën, ose të lutet së bashku me Allahun, siç vepruan të krishterët me Isain, të birin e Merjemes (alejhima selam). Më pas sqaroi se ai është prej robërve të Allahut, si dhe urdhëroi të themi: "Rob i Allahut dhe i Dërguari i Tij."
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: I Dërguari i Allahut ﷺ është pyetur "Kush është njeriu më fatlum që do ta fitojë ndërmjetësimin (shefatin) tënd Ditën e Gjykimit?" I Dërguari i Allahut ﷺ i tha: “Kam pandehur, o Ebu Hurejre, se askush para teje nuk do të më pyesë për këtë çështje, për shkak se kam vënë re se ke interesim të madh për hadithin. Njeriu më fatlum që do ta fitojë ndërmjetësimin (shefatin) tim Ditën e Gjykimit është ai që deklaron: "La ilahe il lallah (s'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut)" me zemër të sinqertë, - ose ka thënë: me sinqeritet.”
Transmeton BuhariuProfeti ﷺ në këtë hadith na tregon se njeriu më fatlum që do ta fitojë ndërmjetësimin (shefatin) e tij në Ditën e Gjykimit është ai që deklaron: "La ilahe il-lallah (s'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut)" me zemër të sinqertë dhe është i pastër nga shirku (idhujtaria) e rijaja (syefaqësia).
Abdullah ibn Amër ibn Asi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Profeti ﷺ ka thënë: "Ai të cilin tijera (ndjenja e fatkeqësisë nga shenjat ogurzeza) e pengon nga kryerja e asaj që ka vendosur, ka bërë shirk. Të pranishmit i thanë: "Cili është shpagimi për këtë?" Tha: "Të thuash: "O Allah, nuk ka mirësi, pos mirësisë Sate! Çdo zog është Yti (nuk sjell as mirësi e as pengon dëm) dhe nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Teje."
E shënon AhmediProfeti ﷺ po na tregon në këtë hadith se atë që pesimizimi e pengon për të vazhduar tutje në atë gjë që është i vendosur, veçse ka bërë një prej llojeve të shirkut. E, kur e pyetën sahabët për shpagimin e këtij mëkati të madh (se si bëhet), ai i përudhi drejt këtyre shprehjeve fisnike që kanë ardhur në këtë hadith, që ngërthejnë në vete dorëzimin e tërë çështjes tek Allahu i Lartësuar dhe mohimin që dikush përveç Tij të ketë forcë.